“Përkthimi” i Bashës për raportin e FMN-së: PPP, vjedhje e parave të shqiptarëve

21/03/2018 13:02

Rilindja Urbane ka qenë shpërdorim i madh i parave të shqiptarëve pa asnjë përfitim, thotë kryetari i PD-së, Lulzim Basha në një dalje për mediat.

Duke folur për raportin e FMN-së, ai tha se qeveria nuk ka siguruar më investime të huaja në vend, teksa shpreh rrezikun që i kanoset vendit nga PPP.

“PPP ka vetëm një qëllim vjedhjen e parave të shqiptarëve për klientët e Edi Ramës. Vitet e fundit po kthehen në mjetin kryesor për pastrimin e parave të pista të krijuara nga dorga dhe krimi i organizuar. I gjithë projekti 1 miliardë është mashtrues ku kombinohet vjedhja e parave publike dhe qarkullimi i parave të pista në shërbim të Edi Ramës”, tha Basha.

Ai tha se “shqetësimet e ngritura nga PD dhe opozita në këto 4 vite janë të konfirmuara në këtë raportim. Efektet e shkatërrimit ekonomik që Edi Rama i ka sjell vendit janë të dukshme. Misioni i FMN-së ka bërë paralajmërime kritike dhe serioze për të ardhmen e vendit. FMN ka lëshuar mesazh të qartë se gjendja ekonomike e Shqiëpërisë do të përkeqësohet. Mbarimi i TAP dhe Devollit, investime të PD do e thajnë ekonominë nga financimet e huaja që janë të domosdoshme për të krijuar punësim e mirëqënie dhe për të rritur ekonominë, dhe kjo qeveri nuk ka krijuar investime të reja për ekonominë. Mbarimi i këtyre dy investimeve do të sjellë rënien ekonomike”.

Basha u shpreh më tej se “paratë e shqiptarëve shpenzohen për projekte investimesh të kota, pa leverdi ekonomike. Miliarda dollarë ka harxhuar kjo qeveri për fasada dhe investime në zyra që nuk sjellin asnjë vlerë në ekonomi”.

Top Channel