Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj i kërkoi drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda Besim Hajdarmata, të thërrasë kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe ish-kryeministrin Sali Berisha për të dhënë informacione si persona që kanë dijeni lidhur me 613 kg kokainë që u kapën në Durrës.
Xhafaj ju referohet deklatave publike të Bashës dhe Berishës.
“Nga këto deklarime publike bie veçanërisht në sy fakti se nga zoti Sali Berisha dhe zoti Lulzim Basha pretendohet qartë që ata kanë dijeni për fakte konkrete lidhur me klanet e trafikut të drogës në Shqipëri. Po sipas këtyre deklarimeve publike, rezulton se të dy këta persona kanë veçanërisht dijeni mbi poseduesit dhe përfituesit e sasisë prej 613 kilogram kokainë të sekuestruar së fundmi në Portin e Durrësit”, thuhet në letrën e Xhafajt.
Xhafaj thotë se është edhe detyrim kushtetues i dy demokratëve të tregojnë çfarë dinë dhe siç shprehet ministri i Brendshëm, prokuroria e ka për detyrë të vlerësojë ligjërisht deklarimet e tyre.
I pyetur mbi apelin e ministrit të Brendshëm për kreun e prokurorisë së krimeve të rënda, kreu demokrat, Lulzim Basha ka në përgjigje një akuzë dhe dy emra që lidhen me kryeministrin Rama dhe ministrin Xhafa.
“Kjo letër është akt i dënueshëm i Fatmir Xhafajt, është vendosja dhe de juro e prokurorisë në urdhrat e qeverisë. Informacioni më i sigurtë që mund të japë unë për të gjetur rrugët e kokainës në Shqipëri është që prokuroria mjafton të gjurmojë Olsi Ramën dhe Agron Xhafajn”, tha ai .
Top Channel