“Gabimi” i Policisë Kufitare, ndalohet i pafajshmi dhe lihet i lirë fajtori

21/03/2018 21:20

“Fiks Fare” denoncoi këtë të mërkurë sesi nga një “gabim” i Policisë Kufitare, një qytetari i është ndaluar e drejta të dalë jashtë shtetit. Durim Muslia, nga Puka, është ankuar në “Fiks Fare” se Policia Kufitare ka falsifikuar dokumentet në emrin e tij, duke mos e lejuar për të dalë jashtë shtetit dhe duke favorizuar personin që ka bërë shkeljen.

Ai tregon për “Fiks Fare” se, në dhjetor të vitit 2017 ka dashur të shkojë në Itali për pushime. Kur ka shkuar në pikën e kalimit kufitar, ai nuk është lejuar nga policia shqiptare të kalonte kufirin, pasi rezultonte se në vitin 2015 ishte deportuar nga Maqedonia me dokumente false.

Ai ka shpjeguar se nuk ka qenë asnjëherë në Maqedoni, por kjo nuk e ka bindur policinë. Pas refuzimit, ai i është drejtuar Departamentit të Kufirit me shkresë zyrtare për të sqaruar këtë situatë. Ata i kanë thënë se nga verifikimi rezulton se ka qenë pikërisht ai, personi që është deportuar nga Maqedonia.

Por vet qytetari thotë se nuk ka qenë asnjëherë në Maqedoni, e madje për datat kur pretendohet se ai ka qenë në Maqedoni rezulton se ka qenë në punë, kjo e vërtetuar me plan shërbimi dhe me vërtetim nga puna. Gjithsesi ende nuk ka gjetur një zgjidhje, ndaj i është drejtuar emisionit “Fiks Fare”.

Sipas përgjigjes që ka marrë qytetari, rezulton se historia ka nisur më 14 qershor të vitit 2015 në pikën kufitare të Tushemishtit, kur policia maqedonase ka njoftuar policinë shqiptare se ka kapur një shqiptar me pasaportë false dhe leje drejtimi mjeti false, në emër të qytetarit Gentjan Cakani.

Policia maqedonase ka intervistuar të ndaluarin, i cili ka deklaruar se quhet Durim Hysni Muslia, i lindur më 19 janar 1984 në Pukë dhe banues në Durrës. Policia shqiptare pretendon se ka verifikuar në sistemin “TIMS” dhe ka konkluduar se personi i ndaluar në Maqedoni kishte ngjashmëri me shtetasin Durim Gjin Muslia, i lindur më 20 mars 1987.

Disa ditë më vonë, më 25 qershor të vitit 2015, në orën 19:00 është deportuar shqiptari i ndaluar, i cili ka kryer dënimin me 8 ditë burgim në Maqedoni. Madje, ditën e deportimit, policia maqedonase ka sjellë dhe një fotokopje të fotografisë së personit të deportuar.

Ndërsa policia shqiptare ka verifikuar të dhënat në sistemin “TIMS” dhe ka intervistuar të deportuarin. Nga verifikimet, sipas policisë ka rezultuar se personi i deportuar është Durim Gjin Muslia, pra personi që është ankuar në “Fiks Fare”, dhe jo Durim Hysni Muslia, siç e kishte identifikuar pala maqedonase.

Prandaj, Departamenti i Kufirit dhe Migracionit ka deklaruar se nuk mund të procedojë më tutje për të ndrequr këtë gabim.

Pas kësaj përgjigjeje nga policia, “Fiks Fare” nisi verifikimin në çdo institucion për të vërtetuar nëse Durim Musliaj, që ankohet, është i njëjti person që është deportuar, siç pretendon policia shqiptare, apo është një tjetër person.

Fillimisht, qytetari dhe “Fiksi” shkuan në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit, në Korçë. Drejtoria e Policisë së Korçës i thotë qytetarit se nuk mund t’ia zgjidhin çështjen, pasi duhet t’i drejtohet gjykatës. Qytetari shkon edhe në Departamentin e Kufirit dhe Migracionit, por i thonë se nuk mund të bëjnë asgjë, pavarësisht se ai jep edhe shenjat e gishtave për të vërtetuar se nuk ka qenë ai që është deportuar nga Maqedonia.

Me që policia shqiptare është e bindur se qytetari që ankohet është ai që është deportuar, “Fiks Fare” shkoi edhe në Maqedoni. Bashkë me qytetarin, “Fiksi” kaloi në pikën kufitare të Tushemishtit, ndërkohë që policia nuk e ndalon, pavarësisht se ka një urdhër refuzimi.

Më pas, “Fiksi” shkoi në Ohër dhe takoi drejtorin e Burgut në këtë qytet, Haxhi Rizvani. Ai shikon dosjen e personit Durim Muslia, që është dënuar në Maqedoni, dhe vërteton se nuk është i njëjti person që ka probleme me policinë shqiptare.

Duke qenë se këtë dosje nuk mund ta japë pa leje nga gjykata, bashkë me drejtorin, “Fiksi” shkoi te qytetari. Gjatë prezantimit, gazetari i “Fiksit” e pyeti drejtorin nëse ishte apo jo ky person, ai që ka vuajtur dënimin, por drejtori i Burgut deklaroi se nuk është i njëjti person.

“Fiks Fare” arriti të sigurojë një foto të personit të dënuar në Maqedoni. Pas fotos u bënë verifikime edhe në Gjendjen Civile, ku rezulton se në Shqipëri nuk ekziston vetëm Durim Gjin Muslia, por edhe Durim Hysni Muslija. Pra ndryshojnë atësia, datëlindja dhe mbiemri me një shkronjë, e duke ballafaquar foton që disponon burgu maqedonas me sistemin “TIMS” në Shqipëri, rezulton se personi i deportuar është Durim Hysni Muslija dhe jo Durim Gjin Muslia.

Për këtë arsye, në kthim nga Maqedonia, gazetarët e “Fiksit” biseduan edhe me oficerin e policisë shqiptare. Ky i fundit deklaroi se problemi mund të zgjidhet vetëm kur të gjendet personi, i cili ka dhënë të dhënat e personit që ankohet në “Fiks Fare”. Mbi këtë rast, “Fiks Fare” pyeti edhe Ministrinë e Brendshme, por nuk mori një përgjigje prej saj sesi ka ndodhur ky “gabim”, e nëse ka qenë me dashje, apo nga ndonjë ngatërresë e punonjësit të policisë.

FOTO GALERI
3/5

Top Channel