Trafikantët e drogës, Trump kërkon dënim me vdekje

20/03/2018 08:41

Presidenti amerikan Donald Trump kërkoi dënim me vdekje për trafikantët e drogës, si pjesë e planit për të luftuar kundër epidemisë së varësisë nga qetësuesit e forte në SHBA.

Këtë propozim kreu i Shtëpisë së Bardhë e bëri gjatë një fjalimi në New Hampshire, shtet i prekur rëndë nga kriza e opiodeve.
“Dështimi nuk është alternativë dhe varësia ndaj drogës nuk është e ardhmja jonë”, ishin fjalët e Trump. Ai u zotua se do të bëjë gjithçka për të ndihmuar në përpjekjet për krijimin e një brezi fëmijësh pa drogë. Presidenti u ankua se, sipas ligjit aktual, një trafikant mund të shesë një drogë që vret qindra njerëz, e megjithatë merr një ndëshkim minimal.

Mbetet e paqartë se si mund të kërkojnë prokurorët dënimin me vdekje për trafikantët pa ndryshuar ligjin. Disa ekspertë ligjorë kanë thënë se çështja ndoshta duhet të vendoset nga Gjykata e Lartë. Kjo ishte vizita e parë e numrit nje te uashingtonit ne shtetin Nju Hempshër si president.
Opioidet, janë qetësues të fortë që përfshihen në një grup drogërash me heroinën. Rreth 2.4 milion amerikanë vlerësohet të jenë të varur ndaj këtyre drogërave. Sipas autoriteteve shendetesore kriza i ka marre jeten rreth 63 mijë e 600 personave në të gjithë vendin, gjatë 2016-s.

Top Channel