Kryeministri Edi Rama gjatë takimit “Miqtë e Shqipërisë” në Bruksel, ka kërkuar hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, duke theksuar se vendi ynë nuk po kërkon dhuratë apo ndonjë favor të pamerituar, por kërkon hapjen e negociatave, gjë që sipas tij e meriton.

Edhe pse e pranoi se “Shqipëria nuk është gati për anëtarësim”, duke përmendur problemet me korrupsionin, krimin e organizuar, trafikun e drogës, Rama theksoi se Shqipëria po punon më përmbushjen e kritereve dhe prioriteteve kyçe.

“E dimë që nuk jemi gati për anëtarësim. Kemi ende probleme me korrupsionin, krimin e organizuar, trafikun e drogës. Por ne po vijojmë të punojmë në këtë drejtim. Shqipëria nuk po kërkon një dhuratë, as një lloj favori që nuk e meritojmë, por kërkojmë thjesht çeljen e negociatave, pasi e meritojmë. Çelja e negociatave me Shqipërinë nuk është krijimi i një problemi të ri potencial, por çelja e një procesi që do ta bëjë Europën më të fortë, pasi Ballkani ka nevojë dëshpërimisht për Europën, por edhe Europa ka nevojë për Ballkanin strategjikisht”, u shpreh Rama gjatë takimit “Miqtë e Shqipërisë”, në Bruksel.

Kreu i qeverisë shqiptare dha një mesazh të qartë për vendet e BE, ndërsa theksoi se fantazmat e së shkuarës nuk do të cënojnë të ardhmen e vendit dhe atë të rajonit.

“Prej 2014-ës kemi bashkëpunuar për të sjellë rajonin në një nivel tjetër bashkëpunimi. Është një rajon ku jo për arsye që janë të thella, kemi kaluar konflikte, luftëra dhe është një rajon që ka besime fetare dhe etnish. Ne dhe askush tjetër në këtë ndërtesë tjetër apo në këtë qytet, nuk duhet të harrojmë që ajo që është arritur është një arritje e madhe dhe duhet të përforcohet që e ardhmja nuk do të na kthejë fantazmat e së shkuarës”, tha Rama.

Ai tha se qeveria shqiptare po vijon me reformat në kuadër të integrimit, duke u ndalur konkretisht tek reforma në drejtësi.

“Reforma jonë në drejtësi është reale, dhe procesi i rivlerësimit të çdo gjyqtari e prokurori është real. Ne e bëmë këtë sepse besoj fort se për brezat e ardhshëm na duhet një sistem drejtësie i drejtë dhe funksional. Për ne është me rëndësi që ky integrim të ecë përpara dhe më në fund të ndodhë”, u shpreh Rama.

Top Channel