Rreziqet nga Rusia, Stoltenberg: Frikë për sulme bërthamore

19/03/2018 14:03

Pas vrasjes së një ish-agjenti në Britani të Madhe, Stoltenberg paralajmëron nga kërcënimet e reja ruse. Ai bëri një konstatim dramatik për strategjinë e Kremlinit në vitet e kaluara, që shtrihet nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë, stacionimit i trupave ushtarake në Gjeorgji, sulmet e shumta kibernetike e deri tek helmimi i ish spiunit ne Salisbury, për të cilin thuhet se e ka kryer Rusia.

“Sulmi ndaj ish agjentit është kryer sipas një modeli të caktuar, që është vërejtur prej disa vitesh”, thotë Jens Stoltenberg, në një intervistë për gazetën “Welt am Sonntag”.

Ai paralajmëron se Rusia po bëhet gjithnjë e më e paparashikueshme dhe agresive. Shefi i NATO-s shkon edhe një hap më tej, duke përmendur mundësinë e sulmeve bërthamore.

“Ne po shohim kohët e fundit se si Rusia po fut armët atomike në doktrinën e saj ushtarake dhe në stërvitje. Kjo shton frikën për sulme me armë bërthamore nga ana e Moskës. Ne duhet të gjejmë një përgjigje ndaj kësaj mundësie”, paralajmëron shefi i NATO-s.

Stolteberg shton se aleanca veri-atlantike duhet të përgatitet per mbrojtje dhe të përmirësojë aftësitë e veta. Ai kërkon marrjen e vendimeve të reja në Samitin e ardhshëm të NATO-s në muajin qershor. “Rusia nuk duhet të bëjë llogaritje të gabuara, pasi ne jemi të gatshëm të përgjigjemi në çdo moment, nëse cenohet një prej anëtareve të NATO-s”, theksoi kreu i Aleancës.

Top Channel