Komisioni hetimor për çështjen Tahiri dhe fenomenin e kultivimit të lëndëve narkotike, zhvilloi mbledhjen e parë të konstituimit.
Në këtë mbledhje palët u munduan të ruajnë qetësinë, por si për të paralajmëruar vështirësinë e diskutimeve në të ardhmen, edhe caktimi i datës së mbledhjes pasardhëse shkaktoi debat. Socialistët kërkuan një javë kohë, për përgatitjen e rregullores, ndërsa demokratët vetëm një ditë.
“Nuk e shoh të arsyeshme një javë për të diskutuar, nuk dua as të paragjykoj asgjë, se është dita e parë e komisionit”, tha kreu i komisionit, Edi Paloka.
“Ne duhet ta mbyllim sa më shpejt këtë komision, jo 6 muaj, po ka mundësi për 3 apo 4 muaj?”, tha Bashkim Fino, deputet i PS.
“Precedentët e komisioneve hetimore në fakt nuk janë dhe aq pozitiv. Unë jam i bindur që këtë komision nuk do ta lëmë të përfundojë si të tjerët”, tha Paloka.
“Ju pëlqen nuk ju pëlqen, pak rëndësi ka, po koment të diskutimit tim nuk duhet të bëni”, iu përgjigj Fino.
“Nuk më jep ti të drejtën e fjalës mua, se e kam fituar në ’90. Aq më tepër që jam unë këtu kryetar nuk je ti”, i tha Paloka.
Pavarësisht kësaj, opozita nuk e fshehu mosbesimin. “Prioritet i prioriteteve të jetë ky komision”, u shpreh Enkelejd Alibeaj.
“Nuk është vetëm ky angazhim që kemi, kemi dhe angazhime të tjera”, tha deputeti socialist Pjerin Ndreu.
“Mos të nxjerrim një alibi, se kam përshtypjen se do jetë një këngë që do këndohet më vonë, të mos nxjerrim alibi që jam në komisione të tjera”, tha Alibeaj.
Në mbledhjen e ardhshme, bashkë me rregulloren, pritet të miratohet edhe plani i hetimit. Në një mbledhje me dyer të mbyllura që i parapriu komisionit, mes anëtarëve socialistë dhe kreut të grupit Taulant Balla, është vendosur që mazhoranca të kërkojë hetimin e të gjithë fenomenit të kultivimit të kanabisit, duke u shtrirë në kohë edhe gjatë qeverisjes së demokratëve, pa u kufizuar vetëm tek Lazarati.
Top Channel