Policia e Bulqizës është vënë në kërkim të një 19-vjeçari, i cili ka tentuar për herë të dytë të qëllojë mbi dy vëllezër.
Ngjarja e fundit është regjistruar mëngjesin e sotëm rreth orës 10.20 ku Elidon Tançi, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit Opel ku ndodheshin dy vëllezër nga Bulqiza, por pa shkaktuar dëmtime në njerëz.
“Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale të kryera nga shërbimet e policisë ka rezultuar se autori i dyshuar i kësaj ngjarje është shtetasi Elidon Tançi, 19 vjeç, banues në Bulqizë, i proceduar më parë nga Policia për veprën penale Dëmtime tjera me dashje, po për konflikt, i cili është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë së qarkut Dibër.
Grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes si dhe po hetohet nëse ka persona të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.
Top Channel