BERZH përzgjedh Tiranën, financon Bovillën dhe linjën e Unazës së Re

19/03/2018 14:47

BERZH do të financojë Bovillën dhe linjën e re të furnizimit te Unaza e Re. Bashkia dhe ky institucion kanë firmosur sot në Londër marrëveshjen e financimit.

Marrëveshja parashikon financimin për dyfishimin e kapacitetit të Bovillës, si dhe ndërtimin e një linje të re për furnizimin me ujë të pijshëm të zonës së Unazës së Re, Yzberishtit dhe Kasharit. Tirana është autoriteti i parë lokal që përzgjidhet nga BERZH-i, duke nënshkruar një marrëdhënie direkte bashkëpunimi.

Marrëveshja mundëson dyfishimin e sasisë së filtrimit të ujit, që furnizon qytetarët e Tiranës dhe njëkohësisht, shtrirjen e një rrjeti të ri edhe në zona të cilat, vitet e fundit kanë njohur një zhvillim tepër të madh, pa menduar më parë për urbanizimin.

“Mezi pres që në këtë paketë të parë të bëjmë dy investime kryesore: Së pari, zgjerimin e kapacitetit të Bovillës, që është sistemi ynë filtrues. Do dyfishojmë sasinë e ujit që filtrohet për qytetin e Tiranës. Së dyti, ky financim na mundëson një linjë të re magjistrale, nga liqeni i Bovillës direkt në zonën e Unazës së Re, Yzberishtit dhe Kasharit. Një zonë e cila, kur njerëzit u transferuan aty, furnizohej me ujë pusesh e shumë prej banorëve, të nxitur nga çmimet e lira, morën vendime të shpejta, pa menduar që kjo zonë, tashmë me 80 mijë banorë, nuk mund të përballohet me ujë pusi, siç na tregoi vera e kaluar”, deklaroi Veliaj.

Veliaj nënvizoi se pas formalizimit të financimit, Bashkia e Tiranës do të fillojë menjëherë punën për dyfishimin e kapacitetit të Bovillës dhe ndërtimin e rrjetit të ri.

“Mezi pres të fillojmë menjëherë nga puna, si për të dyfishuar Bovillën në kapacitet filtrimi, si për të bërë magjistralen, e cila sjell ujë drejtpërdrejt nga Bovilla në një prej zonave më problematike të Tiranës, për t’u siguruar që brenda 5 viteve të mundësojmë ambicjen tonë dhe vendimet e rëndësishme që morëm në Këshillin Bashkiak, për t’i dhënë qytetit ujë 24 orë të pijshëm”, përfundoi Veliaj.

Top Channel