Krrabë, zjarrfikësit zëvendësojnë pemët e shkrumbuara me 650 të reja

18/03/2018 14:38

Zjarrfikësit e Tiranës kanë zëvendësuar këtë fundjavë pemët e djegura në Krrabë si pasojë e zjarreve masive që prekën vendin gjatë stinës së verës, 8 muaj më parë, sigurisht duke iu bashkuar nismës së Bashkisë së Tiranës për mbjelljen e pemëve.

Plot 117 efektivë të Shërbimit Zjarrfikës mbollën 117 rrënjë ulliri, duke e çuar në 650 numrin e pemëve të mbjella në këtë zonë. Zjarrfikësve iu bashkua edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Më vjen mirë që 117 zjarrfikësit e Tiranës po mbjellin 117 pemë në një zonë si Krraba, e cila u shkretua gjatë zjarreve të verës. Fakti që zjarrfikësit kthehen jo vetëm për të shuar zjarrin, por edhe për të rimbjellë aty ku zjarri bëri dëm, besoj se është fabula më e bukur e këtij qyteti. Ne rrëzohemi bashkë, por edhe ngrihemi bashkë! Në Krrabë, në total kemi mbjellë rreth 650 pemë, por jemi afër rekordit të 100 mijë pemëve. Çdo qytetar i Tiranës, që ka parë këtë energji magjike në qytet gjatë këtyre muajve, ka edhe pak ditë kohë, deri më 21 mars”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Efektivët e Shërbimit Zjarrfikës i përballuan me sukses rastet e rënies së zjarreve gjatë verës, duke vendosur në rrezik, në jo pak raste, edhe jetën e tyre.

Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi nismën e efektivëve, të cilët janë të parët që ndihmojnë sa herë që qytetarët kërkojnë ndihmë.

“Zjarrfikësit e Tiranës, siç janë të parët sa herë ka rrezik, një nevojë, përmbytje, zjarre, bllokime dyersh, aksidente, ashtu janë të parët edhe në këtë nevojë të qytetit për oksigjen. Një zjarrfikës e di fare mirë ç’do të thotë mungesë e oksigjenit, sepse përballen me situata të vështira. Ndaj, ashtu si një zjarrfikës në momentin e vështirë kërkon oksigjen që të vazhdojë të bëjë punën, ashtu edhe një qytet ka nevojë për oksigjen që të vazhdojë jetën”, tha Veliaj.

Veliaj siguroi se aksioni për të shtuar sipërfaqet e gjelbra në kryeqytet do të vijojë edhe përtej datës 21 mars, ditë kur bashkia do të zhvillojë një aksion të gjerë për të kurorëzuar mbjelljen e 100 mijë pemëve.

“Do të vazhdojmë të mbjellim deri sa të na lejojë moti, por në datën 21 mars duam ta mbyllim me objektivin tonë të 100 mijë pemëve. Ndaj u them të gjithë qytetarëve: Nxitoni, mbillni një pemë poshtë pallatit, poshtë shtëpisë, te vendi i punës, në shkollë, në kopsht, në çerdhe, nëpër parqe, kudo ku keni mundësi, për t’i dhënë më shumë oksigjen Tiranës”, deklaroi kryebashkiaku.

Ai shtoi se investimet e kryera në Krrabë nga Bashkia e Tiranës ka sjellë gjallërimin e ekonomisë lokale. Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës të Tiranës, Shkëlqim Goxhaj, deklaroi nga ana e tij se, sa më shumë pemë të reja i shtohen qytetit, aq më shumë oksigjen dhe jetë të shëndetshme do të kenë banorët e saj, ndërsa siguroi se nisma të tilla do të vijojnë edhe në të ardhmen.

Aksionit për mbjelljen e pemëve të reja në Njësinë Administrative të Krrabës iu bashkuan edhe studentë të Universitetit “Marin Barleti”, “Gines R&M”, KOKSH-it, si dhe nxënësit e shkollës “Nobel”.

FOTO GALERI
2/5

Top Channel