Shkatërrohet banda e “konsujve”, për 25 mijë dollarë dërgonin emigrantë në SHBA e Kanada

17/03/2018 10:44

Prokuroria e Krimeve të Rënda lëshoi 51 urdhra arresti ndaj një rrjeti trafikantësh nderkombetare që dërgonin shtetas shqiptarë në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Angli.

Hetimi i nisur në 2017 është iniciuar nga agjencitë amerikane, ndërkohë që më tej çdo veprim tjetër është gjurmuar nga prokurori i kësaj dosjeje Eugen Beci dhe si edhe nga policia e shtetit.

Përmes falsifikimit, rrjeti i trafikantëve ndërkombëtarë që në përbërje ka shtetas shqiptarë dhe të huaj, ka trafikuar mbi një mijë shtetas.

Një pjesë e emigrantëve të paligjshëm ka dyshime se nuk kanë mbërritur në destinacionin për të cilin kanë paguar, por janë braktisur nga trafikantët në vendet e Amerikës Latine. Hetimi ka zbuluar se trafikantët shfrytëzonin disa agjenci në Tiranë dhe Lezhë për prerjen e biletave të udhëtimit për qëllime turistike, dhe më tej sapo mbërrin në vendet e Bashkimit Europian, qytetarëve të interesuar për të emigruar në Amerikë, Kanada dhe Angli ju jepeshin dokumente të tjera të falsifikuara së bashku me një biletë të re.

Ka dyshime se për të emigruar në këtë mënyrë të paligjshme secili prej qytetarëve të interesuar ka paguar një fature prej 20 deri në 25 mijë dollarë. Menjëherë pasi gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masat e arrestit në mungesë, forcat operacionale kanë nisur aksionin në të gjithë vendin për kapjen e të kërkuarve.

Operacioni është zhvilluar në disa qytete, kryesisht në Lezhë, Shkodër, Tiranë, Dibër, Kukës dhe Korçë, gjatë të cilit janë arrestuar 39 persona dhe katër efektivë të policisë kufitare që nuk kanë regjistruar qytetarët që po dilnin jashtë vendit.

12 persona të tjerë mes tyre edhe dy shtetas bullgarë që jetojnë jashtë Shqipërisë janë në kërkim. Policia ka sekuestruar makina, kompjuterë dhe vula që përdoreshin nga rrjeti i trafikantëve.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA