Kreu i shtetit Ilir Meta mbajti fjalën e tij dedikuar Ballkanit në forumin e 6-të Global në Baku, ku tha se projekti ynë i përbashkët, pavarësisht ndasive dhe konflikteve të së kaluarës, është integrimi në Bashkimin Evropian.

“E ardhmja e përbashkët e qytetarëve tanë në Ballkan, varet nga vetë vendet tona, nga aftësia jonë për t’iu përgjigjur sfidave të së ardhmes me më shumë zhvillim dhe prosperitet për popujt tanë”, nënvizoi Presidenti Meta.

Gjithashtu, Presidenti Meta theksoi se “projekti evropian, pa zgjerimin e plotë të BE-së në rajonin e Ballkanit, është një punë e papërfunduar. Paqja, stabiliteti dhe siguria e rajonit të Ballkanit nuk mund të merret e mirëqenë. Rajoni ynë në të shkuarën ka përjetuar luftra të përgjakshme sa herë që ka shërbyer si fushë beteje për interesat e fuqive të mëdha.”

Në fjalën e tij Presidenti Meta u ndal edhe në projektin madhor TAP, duke theksuar se “Realizimi i gazsjellësit TAP është një kontribut jo vetëm për stabilitetin dhe sigurinë rajonale, por edhe me impakt strategjik për interesat ekonomike dhe të sigurisë energjetike të vetë BE-së”.

Duke iu referuar çështjeve të sigurisë, Presidenti Meta, nënvizoi se zgjerimi i NATO-s me vende si, Mali i Zi dhe potencilisht Maqedonia, dëshmon për një vullnet dhe mbështetje solide e të qartë të Aleancës dhe veçanërisht të SHBA-së për rajonin e Ballkanit.

Presidenti Meta nënvizoi në fjalën e tij se fatkeqësisht, sfidat e përditshme ekonomike të vendeve tona në epokën aktuale të globalizmit po frymëzojnë valë të reja të emigrimit masiv drejt BE-së, sidomos mes të rinjve të kualifikuar. Kjo “hemoragji e trurit” drejt Europës po krijon pasoja të shqetësuese për të ardhmen e shoqërive tona”, tha kreu i shtetit.

Lidhur me zhvillimin e rajonit, Presidenti Meta, vlerësoi se Ballkani ka qënë ndër shekuj dhe do të jetë “nyjë lidhëse” e Lindjes me Perëndimin, duke shtuar se, ne inkurajojmë dhe mirëpresim investime nga të gjitha fuqitë emergjente ekonomike. Natyrisht ato nuk mund të përplasen me axhendën tonë të përbashkët Euro-Atlantike dhe me aspiratat demokratike të qytetarëve tanë.

“Në kohën e globalizimit, suksesi i ekonomive tona do të garantohet kur tregjet rajonale të integrohen shpejt dhe kur investimet e huaja nuk njohin kufij dhe barriera artificiale. Në kushtet e një tregu ballkanik dhjetra milionësh konsumatorë, nuk duhet të humbasin energji për tu përplasur me njëri-tjetrin, duke fragmentizuar tregun dhe duke dobësuar ekonomitë tona. Konkurrencën nuk e kemi me njëri-tjetrin, apo brenda rajonit tonë, por me kohën dhe sfidat e globalizimit”, theksoi Presidenti Meta.

Presidenti Meta shprehu gjithashtu bindjen se vendet e Ballkanit nuk do të dëshironin të ishin “protagonistë” në “fushën e re të shahut gjeopolitike”, ku përfitimet e shpejta ekonomike të momentit mund të rrezikonin paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e shoqërive tona. Destinacion final i vendeve të Ballkanit është BE.

“Strategjia e re e zgjerimit e BE-së duhet të shoqërohet me veprime konkrete. Çdo hezitim dhe çdo vonesë, apo vakum, do të plotësohet nga faktorët e tjerë, të cilët do të përpiqen të shfrytëzojnë frustrimin e njerëzve”, u shpreh Presidenti Meta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA