Biznesmenët e ndaluar për abuzim me fondet e rrugës Elbasan-Gjinar u liruan nga burgu, ndërsa po ndiqet penalisht me “arrest me burg” ish-drejtori i rrugëve, Dashamir Xhika.
Në seancën gjyqësore ndaj tyre ishte edhe ish-ministri Haxhinasto, i cili më pas u thirr nga Prokuroria për një tjetër dosje hetimore, ajo e rrugës Elbasan-Tiranë.
“Në prokurori u pyeta për ato gjëra që kanë të bëjnë me përgjegjësitë e mia, si ish drejtues i Ministrisë së Transporteve gjatë një periudhe të zhvillimit të këtij projekti”, tha ish-ministri Haxhinasto.
Pas kësaj deklarate të Haxhinastos, në kampin e LSI u vu re qetësia. Aksioni opozitar nuk ishte aq agresiv si disa javë më parë.
Mbase, kjo është një rastësi, por që së fundmi po komentohet si një afrim qëndrimesh me socialistët. LSI, në fakt, në Kuvend bashkoi votat me PS për ligjin e Vettingut në polici.
A është kjo një rastësi apo një strategji kjo mbetet për t’u parë në një kohë që vetëm një vit na ndan nga zgjedhjet e reja për pushtetin vendor, aty ku PS dhe LSI kanë bashkëpunuar në zgjedhjet e fundit.
Top Channel