100 mijë banorë pa ujë, tubacioni i ujësjellësit këputet nga rrëshqitja e tokës

17/03/2018 19:38

Banorët e Beratit dhe të Kuçovës prej dy ditësh janë pa ujë të pijshëm. Shkak janë bërë reshjet e shiut, pas të cilave masive dheu kanë rrëshqitur, duke dëmtuar tubacionin kryesor të Bogovës, nga i cili furnizohen me ujë këto dy qytete.

Tubacioni i ujësjellësit është dëmtuar në disa vende. Ekipet e punonjësve të ujësjellësit kanë punuar për rikthimin në normalitet të ujësjellësit, por, pikërisht atëherë kur dukej se do rikthehej uji i pijshëm për banorët, një tjetër çarje e tubacionit ka ndodhur në në Plirëz të Poliçanit, edhe në këtë rast shkak janë bërë shkarjet e dheut.

Drejtori Refat Arizaj thotë se ujësjellësi është gjithnjë në rrezik për shkak të pozicionit në të cilën ndodhet dhe shkaku kryesore janë rrëshqitjet masive të dherave.

“Megjithë ndërhyrje që u bënë para tre vitesh problemi nuk u zgjidh. Kjo linjë duhet të devijohet në një drejtim tjetër. Nga dita në ditë vijon spostimi i tubacionit kryesor. Ky i fundit është 50 centimetër”, u shpreh Refat Arizaj, drejtor i ujësjellësit.

Drejtori i Ujësjellësit pohon se banorët do të kenë së shpejti ujë të pijshëm, por ai i bën apel që të bëhet një investim serioz për spostimin e tubacionit kryesor të bogovës, pasi në këtë zonë ku ndodhet do jetë gjithmonë problematik.

Ne i kërkojmë si ministrisë, edhe 2 bashkive që ky shqetësim të marrë një zgjidhje, pasi Berati dhe Kuçova do të mbesin pa ujë.

Gjithsesi, 100 mijë banorë të Beratit dhe Kuçovës nuk kanë ujë deri në një sinjalizim të dytë nga drejtoria e ujësjellës kanalizimeve.

Top Channel