Lëvizjes Socialiste për Integrim po i ikin këshilltarët bashkiakë. Pas Fierit, rasti më i fundit është ai në Belsh. Ata i janë bashkuar Partisë Socialiste. Prej ditësh pyetja që po shtrohet është se nga po shkon LSI? Botuesi i “Koha Jonë” Nikollë Lesi propozon ribashkimin me Socialistët. Ndërsa Ylli Manjani thotë se Berisha dhe Meta duhet të japin një mesazh të qartë se janë bashkë përballë Ramës.
Nikollë Lesi, botues i gazetës Koha Jonë provokoi drejtpërdrejtë duke bërë thirrje për një koalicion PS-LSI për zgjedhjet vendore. Baza që i bashkon natyrshëm është krahu politik, por jo vetëm.
“PD për hir të sherreve të brendshme, problemeve që ka për hir të një lidershipi që nuk i natyrës së Berishës, lidership për mua Europian, por i dobët shumë, po e sfumon LSI dhe për mua LSI ka vetëm një koalicion të natyrshëm me PS”, tha Nikollë Lesi.
Ylli Manjani, i cili është tërhequr nga politika aktive e ditës, thotë se është edhe larg informacioneve direkte nga LSI, por i bëri thirrje partisë së tij të mos e konsiderojë në asnjë rast një bashkëpunim me Partinë e Socialiste.
“Rilindja është nukël politik, një grup shokësh të suksesshëm që kanë mbijetuar në politikë, kanë triumfuar në kurriz të PS që prej vitesh administrojnë pushtet të pakufishëm. Nuk njeh Kushtetutë, nuk njeh rregull. Do ta çmoja krim të rëndë politik nëse flirtohet, aq më tepër nga LSI që ka përvojë të mjaftueshme”, tha Ylli Manjani.
Përvoja ka treguar dhe sondazhet tregojnë sipas Nikollë Lesit edhe se në terrenin politik avantazhi i LSI në zgjedhjet vendore është se të dy forcat kryesore ia kanë nevojën. Sipas tij PS po dërgon mesazhe në drejtim të saj, dhe ato nuk kanë të bëjnë me qeverisjen qendrore.
“Qoftë PD qoftë PS pa vota e LSI, sipas të gjitha sondazheve, kryetari i bashkisë nuk zgjidhet. Meqë ka sinjale të kryqëzuara nga selia rozë duhet të hyjë në bisedime serioze me Ramën Me kushte krejtësisht të tjera publike me një marrëveshje, jo për të hyrë në qeverinë qendrore, por vetëm për zgjedhjet vendore”, tha Nikollë Lesi.
Për Ylli Manjanin bashkimi i çdo faktori opozitar është i nevojshëm sikundër dhe refuzimi i qartë i çdo sinjali që vjen nga partia e kryeministrit Rama.
“Në këtë kontekst i kam bërë thirrje dhe Sali Berishës dhe Ilir Metës, jo për të përjashtuar Lulin, jo për të përjashtuar Monikën apo ndokënd tjetër, por për të konverguar në një pikë të përbashkët. Për të dhënë një mesazh të qartë: jemi përballë. Nuk ka dhe këtej dhe andej, dhe në politikë dhe jashtë politike dhe në opozitë edhe në pushtet, nuk ka”, tha Ylli Manjani.
Reagimet për një ftohje Basha-Kryemadhi dhe për një ulje tonesh të kryetares së LSI me Edi Ramën u shtuan ditët e fundit, teksa aksioni opozitar u duk i zbehur në raport me ditët, kur u themelua tryeza e opozitës për qeveri anti-mafia dhe me protestat e dhjetorit dhe janarit.
Top Channel