Nën “deltën” e sulmeve të pamëshirshme, eksod masiv në Siri

16/03/2018 11:06

Mbi 50 mijë persona janë larguar nga ofensivat kundër forcave rebele në Sirinë veriore e jugore, ditët e fundit.

Rreth 30 mijë vetë janë larguar nga qyteti verior i Afrinit, ndërsa forcat turke dhe aleatët e tyre kanë intensifikuar rrethimin.

Në rajonin e Ghoutës Lindore, pranë Damaskut, rreth 20 mijë vetë janë larguar nga zonat e marra në shënjestër prej forcave qeveritare siriane.

Këto zhvendosje masive vijnë 7 vite pas fillimit të luftës civile, që ka bërë që rreth 12 milionë njerëz të braktisin shtëpitë e tyre.

Të paktën 6.1 milionë janë zhvendosur brenda Sirisë, ndërsa 5.6 milionë të tjerë kanë kërkuar shpëtim jashtë vendit.

Më shumë se 400 mijë vetë besohet se janë vrarë, ose janë të zhdukur, që kur kryengritja kundër presidentit Bashar al-Assad nisi në mars të vitit 2011.

Turqia, Rusia dhe Irani kanë dërguar ministrat e tyre në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, për të përgatitur një takim të udhëheqësve në Stamboll muajin e ardhshëm, mbi Sirinë. Ndërsa Turqia është kundër presidentit Assad, Rusia dhe Irani janë aleatët më të ngushtë të udhëheqësit sirian.

Bisedimet në Kazakistan shihen nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, si një mundësi për të sjellë paqen në Siri.

Top Channel