Ministri i Brendshëm gjerman: Islami nuk i përket Gjermanisë

16/03/2018 14:35

Ministri i ri i Brendshëm i Gjermanisë, Horst Seehofer, kryetar i CSU-së simotër të Unionit Kristian-Demokrat (CDU) të Angela Merkelit, e nisi marrjen e detyrës me një deklaratë të fortë.

“Islami – tha ai, – nuk i përket Gjermanisë”. Një koment ky që kontraston thellë me linjën e mbajtur deri më tani nga Merkeli.

Seehoferi është shfaqur me kohë si kritik i politikave të refugjatëve të Kancelares, por një pohim i tillë, i parë si përpjekje për të siguruar mbështetjen e votuesve të “AfD”-së së ekstremit të djathtë, e vendos në kurs të hapur përplasjeje me shefen e ekzekutivit.

Merkeli pati deklaruar në vitin 2015 se besonte me forcë që Islami është pjesë e Gjermanisë, duke i bërë kështu jehonë fjalëve të ish-presidentit Christian Wulff.

Në intervistën e dhënë të përditshmes “Bild”, Seehofer shfaq krejt tjetër qëndrim. “Gjermania, – u shpreh ai, – është ‘formëzuar nga Krishtërimi’ dhe nuk ka përse heq dorë nga traditat e saj”.

Ministri i Brendshëm gjerman shtoi gjithashtu se ka ndërmend të klasifikojë më shumë shtete si “vende të origjinës së sigurtë”, gjë që do ta lehtësonte deportimin e azilkërkuesve të refuzuar.

Seehofer, sipas ekspertëve është veçanërisht i prirur të tregojë se partia e tij është duke e luftuar emigracionin përpara zgjedhjeve rajonale të tetorit në Bavari, ku “AfD”-ja pritet të hyjë në Asamblenë shtetërore.

Top Channel