Kreu i shtetit Ilir Meta është takuar në kuadër të Forumit Global në Baku me kryeministrin turk Binali Yildirim.

Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta vlerësoi rolin dhe kontributin e dhënë nga agjencia shtetërore turke për bashkëpunim dhe koordinim, TIKA, e cila është e pranishme dhe e ka shtrirë aktivitetin e saj mbështetës në të gjithë vendin.

Presidenti Meta vlerësoi gjithashtu se Turqia është një nga partnerët kryesorë ekonomik e tregtar për Shqipërinë dhe nënvizoi se, mundësitë e rritjes së këtij bashkëpunimi, si në aspektin tregtar, ashtu edhe atë të investimeve të drejtpërdrejta turke, që po rriten në mënyrë të qëndrueshme, janë të mëdha.

Duke u ndalur në çështjet e sigurisë, Presidenti Meta theksoi se, si dy vende aleate në NATO dhe partnere prej vitesh, Shqipëria dhe Turqia do të vijojnë bashkëpunimin e tyre të ngushtë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, organizatave terroriste dhe kërcënimeve të tjera të përbashkëta.

Top Channel