“Luftë” sanksionesh SHBA-Rusi, Moska shton “listën e saj të zezë”

16/03/2018 10:59

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov ka lajmëruar se Moska planifikon të shtojë qytetarë amerikanë në “listën e saj të zezë”, si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve të reja amerikane, e nuk përjashtoi as masa të mëtejshme.

Rusia, sidoqoftë vazhdon të pretendojë se është e interesuar për dialog me Shtetet e Bashkuara.

Kërcënimi vjen disa orë pasi Thesari amerikan ndërmori sanksione mbi Moskën për ndërhyrje në zgjedhje dhe sulme kibernetike, që datojnë prej dy vitesh. Pesë entitete dhe 19 qytetarë rusë do të penalizohen.

Për të parën herë, Shtetet e Bashkuara akuzojnë qeverinë ruse për një fushatë të vazhdueshme sulmesh kibernetike, për të cilën thotë se ka në shënjestër rrjetin e energjisë, sistemin e ujit dhe pjesën tjetër të infrastrukturës.

Sipas Departamentit amerikan të Thesarit, “hacker”-at e qeverisë ruse janë duke synuar që të ndërhyjnë në disa sektorë, për të cilët konsumatorët amerikanë kanë nevojë çdo ditë.

“Industritë e sulmuara nga marsi i vitit 2016 përfshijnë energjinë, sistemin bërthamor, ujin, aviacionin dhe fushën e prodhimit”, është thënë në njoftim.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë gjithashtu se besojnë që ushtria ruse i ka kryer sulmet kibernetike me virusin “NotPetya” në qershor të vitit 2017, i cili ka shkaktuar dëmet më të mëdha financiare në historinë e biznesit global.

Virusi “NotPetya” është shpërndarë në të gjithë botën, duke paralizuar punën e shumë pajisjeve kompjuterike. Ky sulm ka rezultuar me humbje të miliarda dollarëve në industritë e anijeve, tregtisë, kujdesit shëndetësor dhe industrive të tjera, ka shtuar Departamenti amerikan i Thesarit.

Top Channel