Azilkërkuesit, Gjermania e shqetësuar; Rama mendon ndryshe: Numri i shqiptarëve është ulur

16/03/2018 09:57

Gjermania vijon të jetë e shqetësuar nga numri i azilkërkuesve shqiptarë. Në konferencën “Sfidat e Migracionit”, ambasadorja e Berlinit ia tha në sy kryeministrit Edi Rama se numri i tyre mbetet ende i lartë.

Susanne Schütz u shpreh: “Numri i emigrantëve dhe azilkërkuesve është akoma tepër i lartë. Shqipëria është një vend kandidat i Bashkimit Europian dhe nuk është një vend me persekutim politik, që ishte një nga arsyet për të dhënë azil. Ata do të kthehen në Shqipëri, edhe nëqoftëse duhet me forcë dhe do të ndalohen të hyjnë në Gjermani për 5 vjet”.

Tjetër mendim kishte kryeministri, i cili foli për rënie drastike të azilkërkuesve shqiptarë: “U bënë shumë spekullime me azilkërkuesit shqiptarë. Kemi një rënie drastike të numrit të azilkërkuesve dhe në raportin e fundit rezulton se Shqipëria nuk është më ndër 6 vendet me kërkesat më të larta për azil”.

Pas këtij mesazhi për kancelaritë perëndimore, Rama kishte edhe një tjetër mesazh për politikën e brendshme, ku akuzohet nga opozita se me qeverisjen e tij po zbraz vendin, duke detyruar qytetarët të emigrojnë.

“Numri i emigrantëve, për çudinë e të gjithëve që jetojnë nën këtë bombardim të madh politik dhe mediatik, ka shkuar në rënie. Nga censusi i fundit është lehtësisht e lexueshme që në vitin 2017, në krahasim me vitin 2013, kemi 20% më pak emigracion”, u shpreh Rama.

Për të frenuar këtë fenomen, kryeministri njoftoi se po përgatitet një program kombëtar strehimi në funksion të çifteve të reja.

Top Channel