Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 27-vjeçar dhe ka shpallur në kërkim dy persona, autor të disa vjedhjeve të ndodhura në kryeqytet.
Burime zyrtare bëjnë të ditur se në sajë të operacionit të koduar “Shëtitësit”, është ndaluar Eriol Pane, nga Tirana dhe janë shpallur në kërkim M. V., 31 vjeç, dhe A. L., 19 vjeç.
Në bashkëpunim me njëri- tjetrin dyshohet se kanë kryer një sërë vjedhjesh të ndodhura në zonën e Unazës së Re, Kombinat dhe në disa rrethina të Tiranës.
Autorët vidhnin televizorë, sende dhe materiale ndërtimi, sende dhe materiale parukerie, kabuj elektrik, një sërë kaçavidash dhe mjete prerëse, ku më pas i shisnin në qytetin e Durrësit.
Nga veprimet hetimore të kryera është dokumentuar me prova shkencore se shtetasit e mësipërm dyshohet se janë autorë të 11 vjedhjeve.
Policia po vijon punën për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor dhe të tjera vjedhjeve që këta shtetas dyshohet se mund të kenë kryer.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “ Benz” në posedim të Eriol Panes, iu gjetën një televizor plazma, disa materiale elektrike, disa kabuj elektrikë. Gjithashtu iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale automjeti tip “Benz”.
Top Channel