Studentët e Universitetit të Mjekësisë Tiranë, denoncuan në Fiks Fare me video dhe audio debatet dhe presionet që po shoqërojnë zgjedhjet për këshillin studentor.

Në 2017 nga senati i Universitetit të Mjekësisë u miratua rregullorja për zgjedhjet e para të këtij lloji të Këshillit Studentor. Ky proces do të zhvillohej nga vetë studentët.

Me nisjen e procesit në mes të muajit Shkurt të këtij viti filluan edhe protestat e para të studentëve të drejtuara nga pretendentë për kryetar të këshillit. Ata pretendonin për shkelje të rregullores dhe mosrespektim të vullnetit të studentëve.

Një grup studentësh të cilët kërkuan të mbetën anonimë u ankuan në Fiks Fare lidhur me këto problematika. Ata theksuan faktin që dy anëtare të komisionit ishin shkarkuar pasi kishin kundërshtuar shkeljet e rregullores që po bëheshin nga kryetari dhe anëtarët e tjerë. Ata sollën gjithashtu edhe një video, të realizuar nga vetë ata, ku me zë dhe figurë sipas tyre anëtarët e komisionit kishin mbyllur dyert për regjistrimin e komisionerëve të fakulteteve brenda afateve të përcaktuara në rregullore. Duke shkelur jo vetëm rregulloren por edhe të drejtën për kandidim.

Fiks Fare fillimisht kontaktoi me kryetarin e komisionit Marko Palekaj, studentë në vitin e dytë të këtij universitetit. Ai nuk pranoi të japë intervistë por na sqaroi duke lexuar rregulloren se pretendimet për shkarkimin e dy anëtarëve ishin të pabaza. Pasi njëra prej tyre ka dhënë dorëheqjen, ndërsa tjetra është shkarkuar pasi ka shkelur rregulloren. Sipas tij, Elda Koka ka marrë pjesë në protestën e studentëve duke shprehur hapur bindjen e saj pro një kandidatë për këshill. Kjo bie ndesh me rregulloren dhe për këtë arsye është shkarkuar.

Dy orë më vonë, në redaksinë e Fiks Fare mbërritën dy inçizime audio. Debate të forta mes anëtarëve të komisionit, një pretendenti për kryetar të këshillit dhe një përfaqësuesi të Komisionit të Apelimit të Studentëve. Këta të fundit ushtronin presion dhe dhunë verbale mbi kryetarin të komisionit duke përdorur tone të larta dhe shprehje si “Të rregulloj unë ty” apo “Do ta shkrij komisioni”.

Vetëm disa ditë më vonë pranë zyrave të Fiksit erdhi një nga anëtarët e komisionit. Ajo pretendoi se faktikisht dhunë dhe presion psikologjik po ushtrohej ndaj tyre jo vetëm nga studentët por edhe nga struktura drejtuese, duke përfshirë këtu edhe vetë rektorin.

Sipas saj njëra prej anëtareve ishte kërcënuar në autobus me thikë nga studentë, duke i kërkuar që të tërhiqet nga detyra.

Kërcënime ka patur edhe ndaj dekanes dhe sekretares së Fakultetit të Mjekësisë. Për këtë ato kanë bërë edhe një kallëzim në polici dhe një relacion drejtuar rektoratit.

Në inçizimet audio të sjella në Fiks Fare dalin në dritë të diellit, presione, dhunë dhe tone të larta që po shoqërojnë këtë proces. Sipas studentëve dhe anëtarëve të komisionit e gjitha kjo bëhet për të të kontrolluar nesër fondet e këshillit studentor dhe votimin e studentëve që ka 10% të peshës së zgjedhjeve për rektorin apo dekanin e ardhshëm.

Fiks Fare siguroi dokumente ku del qarte se sa vendimtare është vota e studenteve pasi në zgjedhjet e fundit në UMT rektori aktual, Prof. Dr. Arben Gjata është shpallur fitues pikërisht nga votat e studenteve pasi diferenca në vota mes tij dhe zotit Petrit Bara ishte shume e ngushte. Madje, ky rezultat është kundërshtuar dhe çështja është aktualisht për shqyrtim në Gjykatën e Lartë.

Top Channel