Mocioni me debat, Rama: Opozita, lot krokodili. Skema e ndihmës ekonomike do të vazhdojë

15/03/2018 10:18

Kryeministri Edi Rama shprehet i vendosur për të çuar para reformën e ndihmës ekonomike që ai e quaj një reformë të vonuar për më shumë se çerek shekulli.

Lot krokodili i quan ai kërkesat e opozitës, duke u shprehur se “pengojnë që të shikohet një gjë që duhet përsëritur”.

“Këtu u bë disa kohë që flitet në hava për 20 mijë familje të larguara nga skema, po nuk thuhet asgjëkundi që këto ndryshme që ne sollëm përmes fillimit të zbatimit të reformës kanë mundësuar që 15 mijë familje të përfshihen për herë të parë, ndërkohë që me skemën e vjetër nuk përfshiheshin dot. Nuk thuhet po ashtu që ende pa iu përllogaritur janë 10 mijë e 63 familje që kanë përfituar për herë të parë ndihmë ekonomike që deri dje përjashtoheshin vetëm për shkak të gropave dhe shtigjeve të mbyllura të skemës së vjetër e cila ishte fund e krye në duart e partive, kryetarëve të komunave e bashkive, në duart e këshillave i jepnin ndihmë ekonomike vetvetes.

Lotët e krokodilëve që derdhen përditë në mungesë të ideve, programit, lidershipit të një opozite që nuk di ku ka kokën e jo më tu gjejë rrugën atyre që kërkojnë rrugë për të ardhmen, pengojnë që të shikohet një gjë që duhet përsëritur. I jepnin ndihmë ekonomike deri në 6 mijë lekë të vjetra njerëzve këta, që sot vijnë këtu e kërkojnë llogari për një tjetër nga plagët e rënda që e hapën dhe infektuan me keqqeverisjen dhe shurdhërinë e verbërinë e tyre. 15 mijë familje që më parë trajtoheshin me ndihmë ekonomike të pjesshme deri në 10 mijë lekë të vjetra në muaj, sot përfitojnë ndihmë ekonomike të plotë, deri në 80 mijë lekë në muaj dhe në bazë të kritereve ndihma ekonomike sot shkon deri në 110 mijë lekë në muaj”, thotë Rama.

Por për të ndihma ekonomike është vetëm një aspekt, duke i dhënë kontributin dhe qeverisë së koalicionit ai tha se është gjithë paketa e mbështetjes sociale të qeverisë.

“Ndihma ekonomike është vetëm një aspekt, aspekti tjetër është gjithë paketa e mbështetjes sociale që kjo qeveri, saktësisht qeveria e djeshme e koalicionit dhe kjo e sotmja vazhdon ta ketë, ku ka një sërë subvencionesh direkte, kompensimi i energjisë elektrike për familjet në ndihmë ekonomike, në masën 13 mijë lekë, subvencionet për arsimimin dhe vaksinimin e fëmijëve, garantimit që familjet në nevojë si pjesë e nidhmës ekonomike të përfitojnë lehtësime të tjera, për frekuentimet në kopësht e çërdhe, pagesën e librave, mesatarisht 35 mijë lekë”, vijoi Rama.

Kryeministri informoi më tej se janë kryer 7601 intervista punësimi dhe janë punësuar afërsisht 200 persona.

“Janë kryer deri tani 7601 intervista punësimi, vetëm në këto pak javë afro 200 persona kanë filluar punë,të tjerë janë në pritje me kompanitë private për të marrë përgjigje për punësimin. E përsëris, shumëkush nuk ka aftësi profesionale për të filluar punë menjëherë po të marrë 55 mijë lekë në muaj që të trajnohet dhe të bëhet i aftë për të filluar punë”, tha Rama.

Në replikë të tij, Edmond Spaho tha: “Unë nuk merrem me individin, se do thosha që kryeminsitri ynë është me poture, e shpesh herë i mbush ato poturet. ose do të merresha me atletet e tua që i shkove zv.presidentit me atlete dhe të përzunë. Po këtë nuk e bëj. Për një arsye, se ti problemin nuk e ke te këmbët, ti problemin e ke te koka, koka nuk rregullohet”.

Seanca ndërpritet pak minuta. Opozita kërkoi Ramën
Seanca parlamentare është ndërprerë për pak minuta sapo ka nisur, pasi opozita ka kërkuar të jetë në sallë kryeministri Edi Rama.

Në rendin e ditës është mocioni me debat me kryeministrin Rama për çështjen e heqjes nga skema e ndihmës ekonomike të 20 mijë familjeve.

“Personi që duhet të na japë përgjigjet dhe që është kryeministri nuk është në sallë. Ndërprisni seancën të vijë kryeministri këtu dhe pastaj vazhdojmë sipas rregullave”, tha Edmond Spaho, kreu i grupit parlamentar të PD-së.

Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi tha se kryeministri do të vijë, pasi është në një takim me ministren e jashtme të Kroacisë dhe për këtë ai tha se seanca do të nisë kur të mbërrijë kreu i qeverisë.

Në përditësim…

Top Channel