Votimi i shqipes në Maqedoni, Xhaferi për TCH: Skenat në Kuvend s’duhet të ndodhnin

14/03/2018 19:41

Në një seancë të tensionuar, Parlamenti i Maqedonisë miratoi ligjin e gjuhëve që zyrtarizon edhe gjuhën shqipe.

Ish-kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski tentoi të godasë kryeparlamentarin shqiptar, Talat Xhaferri, ndërsa deputetët e partisë së tij të pengonin votimin. Por ligji mori 64 vota dhe tashmë hyn në fuqi pa patur nevojë dekretimin e Presidentit Ivanov.

Kryetari shqiptar i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, në një lidhje telefonike në edicionin qendror të lajmeve në Top Channel u shpreh se ligji tashmë hyn në fuqi menjëherë dhe i hap rrugën çështjeve të tjera, të cilat pengojnë integrimin e Maqedonisë.

Sa i përket konfliktit me ish-kryeministrin Gruevski gjatë seancës, Xhaferi u shpreh se ato skena nuk duhet të kishin ndodhur.

“Nuk kam pasur konflikt me askënd, pasi puna ka qenë të drejtoj seancën. Tentuan të bllokojnë seancën. Këto skena nuk duhet të ndodhnin”, u shpreh Xhaferi.

Top Channel