Ajo është cilësuar si një nga armët kimike më vdekjeprurëse të prodhuara ndonjëherë. Por “Novichok”, substanca që tashmë është konfirmuar nga kryeministrja britanike Theresa May se është përdorur në përpjekjen për të vrarë ish-spiunin rus, Sergei Skripal, dhe vajzën e tij Julia, nuk është vetëm fatale, por edhe shumë e pazakontë.
Është aq e pazakontë dhe e panjohur, sa shumë pak shkencëtarë jashtë Rusisë mund të kenë pasur ndonjë eksperiencë me të.
Substanca, që do të thotë “i sapoardhur” në rusisht, është prodhuar fillimisht në mënyrë të fshehtë nga Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë në vitet ’80, si një mjet për të thyer mbrojtjet amerikane nga armët kimike.
Ekzistenca e saj mbeti sekrete deri në mesin e viteve ’90, kur informacione në lidhje me prodhimin e saj u publikuan si pjesë e një rrjedhjeje informacioni nga një ish-shkencëtar sovjetik, Vil Mirzayanov.
Edhe sot, asnjë vend jashtë Rusisë nuk e ka prodhuar substancën. Ky informacion ka bërë që qeveria britanike të dalë në përfundimin se, sipas gjasave, Rusia është përpjekur të vrasë Skripalin në mënyrë të drejtpërdrejtë ose ka humbur kontrollin mbi agjentin nervor.
Ekspertët e përshkruajnë “Novichok”-un si një armë kimike shumë të sofistikuar, që vetëm një numër i përzgjedhur shtetesh do të ishte në gjendje ta menaxhonte. Ajo është një substancë pa ngjyrë, pa erë dhe pa shije, e është e lehtë të transportohet, pasi mund të kalojë sipas ekspertëve pa u pikasur në një aeroport apo port.
Ashtu si agjentë të tjerë nervorë, “Novichok” shkakton ngadalësim të rrahjeve të zemrës dhe pengon frymëmarrjen, duke çuar në një vdekje të ngadaltë dhe shpesh të dhimbshme nga asfiksia.
Top Channel