Meta-Sjaasta: Fluturimet Oslo-Tiranë rrisin shkëmbimet turistike me Norvegjinë

13/03/2018 13:22

Fluturimet direkte ajrore mes Oslos dhe Tiranës në sezonin e verës është një tjetër bashkëpunim në fushën e turizmit, që për presidentit Ilir Meta do të ndikojë ndjeshëm në rritjen e shkëmbimeve turistike me Norvegjinë.

Kreu i shtetit ka pritur sot ambasadorin e Mbretërisë së Norvegjisë, Per Strand Sjaasta ku u fol për marrëdhëniet mes dy vendeve.

Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen teknike dhe asistencën financiare që Norvegjia i ka dhënë Shqipërisë ndër vite.

Më tej ai nënvizoi nevojën e një bashkëpunimi më të ngushtë në funksion të shfrytëzimit më të mirë të burimeve të mëdha hidrike dhe detare që dy vendet kanë.

Presidenti Meta, vlerësoi në mënyrë të veçantë mbështetjen politike dhe financiare që Norvegjia ka dhënë për njohjet ndërkombëtare dhe zhvillimin e Kosovës, si dhe për angazhimin dhe kontributin për stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Top Channel