Një grup prej 60 sipërmarrësish francezë kanë vizituar Tiranën duke e konsideruar kryeqytetin si një qytet që ofron mundësi të mira të investime të huaja.
Të dielën pasdite u pritën në një takim të veçantë edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili i njohu me projektet, mundësitë e bashkëpunimit, lehtësirat që ofron kryeqyteti shqiptar për të investuar, dhe në fund mbollën edhe disa pemë në lulishtet e sheshit “Skënderbej”, në shenjë të miqësisë mes dy vendeve.
Në emër të delegacionit të sipërmarrësve francezë, Gazmend Toska, president i Klubit të Biznesit Francë-Shqipëri me qendër në Lyon, theksoi se qëllimi i vizitës është krijimi i sa më shumë marrëdhënieve ekonomike midis Francës dhe Shqipërisë, ndërsa u shpreh optimist për vijimin e këtij bashkëpunimi me investime konkrete.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falënderoi biznesmenët francezë për vizitën e tyre, ndërsa garantoi mbështetjen dhe lehtësirat për çdo ide për të bërë biznes në Tiranë. Ai shtoi se është shumë e rëndësishme që veç marrëdhënieve mes qeverive dhe institucioneve shtetërore, të krijohet dhe një bashkëpunim mes qytetarëve, si një mundësi shumë e mirë bashkëpunimi konkret. “Unë besoj se pjesë e të qënurit evropian nuk është vetëm protokollet që shkruajnë qeveritë apo firmat që hedhim me reforma shumë të rëndësishme, por marrëdhëniet mes njerëzve, njerëzit që bëjnë biznes, që shkëmbejnë kulturë, që fuqizojnë lidhjet mes njëri-tjetrit”, u shpreh Veliaj.
Gjatë këtij takimi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i dorëzoi presidentit të Klubit të Biznesit Francë-Shqipëri, Gazmend Toska në shenjë mirënjohje, simbolin e qytetit, Kullën e Sahatit të Tiranës.
Top Channel