E enjtja pritet të jetë një tjetër ditë “e nxehtë” për politikën. Në seancën plenare, Lulzim Basha foli për dy çështjet ku do të përqendrohet Partia Demokratike.

Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar, Basha tha se çështja e parë do të jetë përjashtimi i familjeve nga skema e ndihmës ekonomike.

“E enjtja nuk do të jetë një ditë e bilancit 6-mujor, por dita e sjelljes në sallë të fytyrave, emrave dhe gjendjes së qindra dhe mijëra-familjarëve që kemi takuar këto dy javë. Do të përdorim Parlamentin për të ndërgjegjësuar të gjithë shoqërinë dhe për të kërkuar rikthimin e ndihmës ekonomike për këto familje në nevojë. Paratë janë”, deklaroi Basha.

Çështja e dytë, do të jetë shqyrtimi i propozimit të PD-së për amendamentet kushtetuese për çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Basha është i vetëdijshëm se me gjasë kjo nismë do të rrëzohet nga mazhoranca.

“Do të paraqesim amendamentet që do të mundësojën që Shqipëria të ketë një prokuror me vetting dhe të zgjedhur me 3/5, siç e kërkon Kushtetuta. Treguesit janë që Edi Rama do të votojë kundër, sepse synimi i tij është kapja e Prokurorisë, leva më e fuqishme që përpiqet të bëhet gati që të lirojë Saimir Tahirin, të mbrojë Olsi Ramën, Agron Xhafajn”, vijoi ai.

Basha u pyet nga gazetarët në lidhje me financimet për lobim. Ai thotë se PD e ka bërë transparencën e saj dhe ftoi edhe kundërshtarin e tij politik, Edi Rama që të presë hetimet e Prokurorisë.

Top Channel