Kontrollet “Blic” në kryeqytet kanë vijuar edhe në orët e para të mëngjesit të së hënës, në pjesën lindore të Tiranës.

Gjatë kontrollit u konstatua një drejtues autobusi i linjës Tufinë-Qendër i cili drejtonte autobusin në gjendje të dehur, ku testi i parë rezultoi 0.56 mg/l dhe testi i dytë 0.66 mg/l.

Drejtuesi i autobusit Besnik H, 52 vjeç, banues në Tiranë, u arrestua në kushtet e flagrancës për drejtim të mjetit në gjendje të dehur.

Edhe gjatë fundjavës Policia Rrugore ka konstatuar një sërë shkeljesh të rregullave të qarkullimit rrugor; si drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, në gjendje të dehur, pa patentë, për shpejtësi tej normave të lejuara në autostradë e në qendrat e banuara, mosvendosje të rripit të sigurimit, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, për shkelje të semaforit, për mosshlyerje të masave administrative, e shkelje të tjera.

Gjatë fundjavës janë arrestuar 9 drejtues mjetesh, nga të cilët 2 për drejtim mjeti pa patentë dhe 7 për drejtim mjeti në gjendje të dehur, ku një drejtues mjeti shtetasi J.M, u ndëshkua për 6 shkelje njëherësh, konkretisht: Nuk i bindet shenjës së ndalimit të punonjësit të policisë, nuk rregullon shpejtësinë veçanërisht në qendrat e banuara, vazhdon lëvizjen ndonëse sinjalizimi i semaforit e ndalon atë, rezultoi nën efektin e alkoolit ku testi i parë 0.70 mg/l testi i dytë 0.65 mg/l, mjeti me xhama të errësuar si dhe debitor me një masë plotësuese të pashlyer.

Janë tërhequr 75 Leje Drejtimi, ku drejtuesit e automjeteve do dalin në OASH, nga këto 24 patenta për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, 41 për shpejtësi tej normave të lejuara në autostradë dhe në qendrat e banuara, 10 për shkelje të tjera.

Po gjatë fundjavës janë vendosur 1751 masa administrative nga këto 98 për mosvendosje të rripit të sigurimit, 180 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, 73 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, 161 për parakalim të gabuar, 41 masa për shpejtësi tej normave të lejuara, 6 masa për shkelje semafori, 4 masa për mungesë të Kontrollit Teknik dhe Siguracion, si dhe masat e tjera për parkim të gabuar e shkelje të tjera.

Top Channel