Çfarë firmosi Lulzim Basha; Paratë që pagoi PD dhe lidhja me Biniatta. Kush thotë të vërtetën?

12/03/2018 19:42

Çfarë firmosi Lulzim Basha 1 vit më parë në kulmin e protestës së opozitës në bulevard me Nick Muzin për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Top Channel ka siguruar kontratën, por ende nuk është e qartë pse kompania Biniata Trade me lidhje ruse ka paguar 150 mijë dollarë lobistin që punonte për Partinë Demokratike, të cilën Lulzim Basha thotë se nuk e njeh.

Kjo është firma që Lulzim Basha hodhi më 22 Mars 2017, në një marrëveshje të kundërfirmosur nga lobuesi amerikan Nick Muzin. Demokratët ishin ende në kulmin e çadrës së protestës, kur Basha pajtoi një nga njerëzit pranë administratës Trump, për ta ndihmuar që të përcillte vizionin dhe qëllimin e Partisë Demokratike pranë liderëve politikë dhe të biznesit në Shtetet e Bashkuara.

Disa muaj më pas, në nëntor 2017, kur çadra ishte mbyllur, PD ishte futur në zgjedhje duke dalë humbëse ndërsa Basha ishte rikonfirmuar kryetar, Nick Muzin ishte paraqitur dhe njëherë pranë Departamentit Amerikan të Drejtësisë, për të sqaruar se për shërbimet ndaj demokratëve kishte marrë edhe një tjetër pagesë, prej 150 mijë dollarësh, nga firma Biniatta Trade.

Në dokumentin që Top Channel disponon, lobuesi i Bashës pohon se Biniatta, e ka kompensuar atë për aktivitetet e ndërmarra në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Por Lulzim Basha jo vetëm që mohon ta njohë firmën Biniatta Trade, por mohon edhe pagesën që Muzin thotë se ka marrë të saj në emër të demokratëve.

“Nuk e njoh fare Biniatën. Nuk i ka dhënë paratë për PD”, është shprehur Basha.

Mundësitë duken dy: Ose Nick Muzin ka gënjyer autoritetet amerikane duke rrezikuar ndëshkime të ashpra, ose Lulzim Basha nuk tha të vërtetën

Ndërkohë, investigimi i revistës amerikane Mother Jones tregoi se Biniatta Trade është në krye të një skeme firmash të ndryshme, që kontrollohen ose kanë lidhje me shtetas rusë.

Top Channel