Apolitical: Kryeqyteti shqiptar model për projektimin e qyteteve të ardhshme

12/03/2018 14:34

Pas prestigjiozes britanike “The Guardian”, revista e njohur “Apolitical” i ka kushtuar një artikull të veçantë Tiranës si një qytet model edhe për shumë qytete të tjera në botë për mënyrën se si po projektohet e ardhmja e tij duke vendosur në qendër fëmijët.

Teksa përqendrohet në përshtatjen e qytetit me fëmijët, “Apolitical” thekson se administrata e Veliaj ishte në gjendje të ringjallte një ndjenjë optimizmi dhe krenarie qytetare. Më tej sqarohet se lagjet përreth zonave të reja të parkut të projektuara dhe të vendosura posaçërisht për fëmijët, panë nivele shumë më të ulëta të vandalizmit dhe familjet që kishin lëvizur jashtë vendit filluan të kthehen për të kaluar verën e tyre në Tiranë.

Artikulli nënvizon më tej se ashtu sikurse Tirana, edhe shumë qytete në mbarë botën po kuptojnë tani se planifikimi dhe drejtimi i qyteteve të tyre për fëmijët mund të ndihmojë të përballojnë sfidat e mëdha me të cilat do të përballen në dekadat e ardhshme. Duke cituar kryebashkiakun e Tiranës, revista e njohur

“Apolitical” thotë se politikanë si Veliaj, të cilët janë të angazhuar për fëmijët në qytetet e tyre, besojnë se kjo strategji mund të përmirësojë kushtet e jetesës të të gjithë qytetarëve.

Top Channel