Opozita maqedonase nuk tërhiqet nga moria e amendamenteve të paraqitur për shqyrtim në Parlament, si strategji për të mos kaluar ligji i gjuhëve, ku ndër të tjera parashikohet ngritja e shqipes në një gjuhë zyrtare.

Kreu i VMPO-DPMNE, Hristijan Mickoski thotë se pret nga Kuvendi që të respektojë procedurat dhe të shqyrtohen të 35 mijë amendamentet që ka paraqitur forca e tij politike për ligjin në fjalë.

“Ne në harmoni me procedurat kemi parashtruar amendamente. Ato amendamente kanë hyrë në procedurë parlamentare. Presim respektimin e Rregullores, respektim të ligjeve dhe Kushtetutës. Si parti angazhohemi për respektimin e së drejtës dhe s’do tolerojmë asgjë tjetër”, thotë ai.

Ligji kaloi në votimin e parë, por Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov refuzoi ta dekretojë atë duke e vlerësuar këtë ligj në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Pas këtij veprimi të Presidentit u parashtruan 35 mijë amendamentet e VMRO-DPMNE-së.

Nga partia e Mickoskit kanë propozuar ngritjen e një grupi pune me ekspertë nga e drejta kushtetuese për të vlerësuar ligjin, por Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev e refuzon këtë.

“Për ne është i papranueshëm për shkaqe parimore dhe pragmatike, sepse në Maqedoni ekziston Gjykata Kushtetuese dhe nëse diçka është në kundërshtim me Kushtetutën, për këtë do të duhet të flasë Gjykata Kushtetuese”, shprehet Zaev.

Nga partitë shqiptare të gjithë janë pro këtij ligji, por kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi përjashton një “plan B”, për të kaluar ligjin duke shmangur amendamentet e VMRO-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA