Me qindra fermerë të vegjël në Peqin dhe zonën e Baldushkut në Tiranë merren me rritjen dhe tregtimin e gjelave të detit. Kjo veprimtari po zgjerohet nga viti në vit dhe shikohet nga fermerët si një mundësi për të nxjerrë një rrogë mujore. Allaman Brahja nga Baldushku thotë se gati çdo familje në fshat merret me rritjen e gjelit të detit.
“Po tani pak a shumë, Baldushku në përgjithësi gjithë familjet rrisin gjelat e detit, këtu marrin 50 copë 100, ka dhe 200 copë për familje që rrit”, thotë Allaman Brahja.
Por megjithëse numri fermerëve në rritje me këtë veprimtari është në rritje skema e subvencioneve e qeverisë, nuk parashikon financime për fermerët e vegjël që merren me rritje shpendësh.
“Nuk kemi asnjë informacion për skemën e subvencionimit për këtë sektor”, thotë fermeri.
Sipas udhëzimit të Ministrisë së Bujqësisë për fermerët që merren me shpendë, financohen vetëm ndërtimi i stabilimenteve, por numri i lartë i krerëve që kërkohet për të përfituar, jo më pak se 10 mijë shpendë është i pa arritshëm për fermerët e vegjël. Naim Kodra, fermer nga Peqini, thotë nga viti në vit po e rrit numrin e gjelave. Por, ai flet për sasi shpendësh mijëra herë më të vogla se sa skema shtetërore.
“Tani me 300 kokë edhe mund të kemi nevojë”, thotë fermeri Naim Kodra.
Shpenzimet e Naimit rriten pasi zogjtë delikatë të gjelit të detit kërkojnë mjaft kujdes që nga ushqimi, sëmundjet e deri tek temperature që nuk duhet të jetën nën 25 gradë.
“Zogu në rast se nuk është 25 gradë i ka drejt ngordhjes, ndezim zjarr çdo natë, por edhe ditën ka pas raste, ja dje që ishte shi për shembull, unë e ndeza zjarrin”.
Investimet e fermerëve të vegjël për rritjen e shpendëve janë tërësisht private. Edhe shitja është organizuar e tillë, pasi mungojnë pikat e grumbullimit.
Top Channel