Panairi i karrierës, Veliaj: Të rinjtë të orientohen drejt librave

11/03/2018 20:29

I pranishëm në panairin e studimeve të organizuar nga Forumi i Rinisë Eurosocialiste me gjimnazistët e qytetit të Tiranës, por jo vetëm, Veliaj theksoi se njerëzit më të pavarur sot në botë janë ata që dinë dhe ata që s’kanë nevojë as për shtetin e as për partinë për të ecur përpara.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka inkurajuar të rinjtë që të orientohen drejt librave si një mënyrë për të ecur në karrierë, por dhe për të fituar pavarësi.

“Inkurajimi im është fokusohuni te ajo që dini dhe sa më shumë që të mbushni kapacitetin tuaj me dije, aq më të pavarur do të jeni nesër. Sot njerëzit më të pavarur janë ata që dinë dhe ata që s’kanë nevojë fare as për shtetin, as për partinë, as për asgjë. Përkundrazi, këto organizata kanë nevojë për këta njerëz. Janë tërë kohën duke i hapur dyert për të ftuar këta njerëz. Pra, mund të jeni të vlefshëm në treg që t’ju bien të tjerët pas dhe jo ju t’u bini pas të tjerëve për t’ju hapur një derë apo për një akses”, tha Veliaj. Teksa kërkoi prej të rinjve që të kalojnë më shumë orë me libra, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se në gjithë Bashkinë e Tiranës është ndërtuar një rrjet bibliotekash. “Më vjen mirë që kemi filluar me rrjetin e bibliotekave në Tiranë. Sot është gjithmonë e më kollaj të aksesohet literaturë. Më vjen mirë që shumë prej universiteteve tashmë e kanë bërë një investim të tillë. Shfrytëzoheni maksimalisht. Do vijë një moshë kur koha do jetë gjithmonë e më e pakët për gjera që ju personalisht doni të bëni. Kjo është ndoshta koha ideale ku praktikisht ju jeni zotët e vetes tuaj dhe mund të vendosni ekzaktësisht si doni ta kaloni kohën”, deklaroi ai.

Kreu i Bashkisë theksoi se pavarësisht paragjykimeve, rezultatet e punës së nisur nuk do të mungojnë. “Po shihja sot në mëngjes në Instagram këto fotot e kumbullave që kishin çelur në Tiranë dhe mbaj mend që më kujtohet një bisedë që është bërë në fakt 15 vite më parë, kur Edi Rama filloi me fushatën e mbjelljeve në Tiranë, në zonat urbane dhe po shihja këto fotot e Xhamllikut. Mbaj mend janë të njëjtët gjithologë si para 15 vitesh, me gjasë edhe kur të dal unë në pension do të jenë përsëri ata gjithologë që do gjykojnë punën tuaj”, tha Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA