Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, bashkë me Ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe deputetin e zonës, Alket Hyseni, vizituan këtë fundjavë Xhaminë e Gjin Aleksit në Russan të Delvinës. Kjo xhami po rikonstruktohet falë një bashkëpunimi midis Ministrisë së Kulturës dhe Komunitetit Musliman.

“Saranda është një qytet që gjithmonë do të ketë sihariqe sepse është një vend ku turizmi ka zhvillim e padyshim mbetet në vëmendjen e qeverisë shqiptare. Rruga hyrëse e Sarandës do të përfundojë përpara sezonit turistik, duhet thënë se vonesat kanë ardhur për shkak se nuk ishin parashikuar fonde për vitin e kaluar. Janë marrë masat në buxhetin e këtij viti që ajo rrugë të përfundojë dhe të jetë funksionale tashmë me të gjitha parametrat e duhura”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Nga ana tjetër, ai sqaroi se këtë vit do të fillojnë edhe punimet për rrugën Kardhiq-Delvinë çka do ta afrojë qytetin e Sarandës edhe më shumë me Tiranën apo pjesën tjetër të vendit.

“Do të jetë kështu një impuls jashtëzakonisht i madh për gjithë aktivitetin turistik të Sarandës. Brenda pranverës do të përfundojmë studimin e fizibilitetit për aeroportin e Sarandës, një aeroport turistik që unë kam bindjen se do të jetë një nyje e rëndësishme që nuk do ti shërbejë vetëm Sarandës por edhe Korfuzit pasi aty janë konsumuar të gjitha mundësitë për fluturim. Pse jo, kemi folur edhe për mundësinë e vazhdimit të investimeve për Portin e Sarandës në mënyrë që të zgjerohet kalata. Ky është një projekt që do të dojë disa vite pasi ka interes nga kroçieret për të pasur Sarandën stacion të përditshëm gjatë sezonit turistik”, theksoi Gjiknuri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA