Vijon puna në “Veliera”, ritmi do të shtohet pas tenderit të ri të bashkisë

10/03/2018 15:07

Një grusht punëtorësh po merren me punë të vogla në pjesën ku nuk u bllokuan punimet në projektin “Veliera”, përpara portit detar në Durrës.

Këmbët gjigante të betonit nuk kanë dale ende në sipërfaqje, ndërkohë që bazamenti i tyre tashmë është hedhur.

Ritmi i punimeve pritet të shtohet pas tenderit të ri që ka hapur bashkia e Durrësit për një pjesë tjetër të projektit. Më konkretisht, fazën e tretë e cila parashikon risistemin e trotuareve, vendosjen e gjelbërimit, ndriçimit etj. Sipas dokumentit të publikuar në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik janë mbi 65 milion lekë që janë vënë në dispozicion nga kjo bashki, për punimet e reja….

Këto janë bazamentet e dy këmbëve të Velierës që ndodhen në zonën arkeologjike të kategorisë A, puna është ndërprerë në këtë pjesë që kur nisën proceset gjyqesore dhe hetimet e prokurosisë.

Gjykata ka konfirmuar më 13 shkurt pezullimin e punimeve në zonen ku u zbuluan rrënojat arkeologjike, megjithatë bashkia nuk ka pritur zbardhjen e vendimit për të hapur tenderin e ri.

Beteja ligjore ka qenë e gjatë dhe shoqëria civile ka luftuar fort. Vendimi i gjykatës la të pakënaqur dhe shoqërinë civile e cila kërkoi pezullimin dhe ndërprerjen e krejt projketit. Lorisa Ylli, aktiviste e shoqërisë civile për çështjen “Veliera” thotë se bashkia nuk po ndalet në realizimin e projektit.

“Morëm informacion se në këshillin bashkiak tashmë ka kaluar dhe një fond i dytë për çështjen Veliera, ndërkohë që ne prisnim anulimin total të projektit”, thotë Lorisa Ylli.

Frika është që përmes hapësirave procedurale, apo vendimeve që mund të merren, qeveria dhe bashkia e Durrësit të zbatojnë deri në fund ndërtimin e Velierës, duke gjetur zgjidhje si ajo e murit antik, pjesë e Torres Veneciane, që u zbulua gjatë ndërtimit të një pallati rreth 15 vite më parë, përfundoi i humbur brenda vetë pallatit gjigant….

 

Top Channel