Aleatëve amerikanë mund t’iu kërkohet të rrisin angazhimet financiare në NATO, në mënyrë që t’iu shmangen tarifave amerikane në eksportet e tyre të çelikut dhe aluminit në Shtetet e Bashkuara. Kështu ka njoftuar Sekretari i Thesarit amerikan, Steve Mnuchin.
Mnuchin i tha transmetuesit “CNBC” në një intervistë se, presidenti amerikan Donald Trump do të ketë parasysh sigurinë kombëtare kur të vendosë se cilat shtete do të përjashtojë nga tarifat, e ka theksuar se Trump dëshiron që aleatët e NATO-s të shpenzojnë më shumë në mbrojtje.
Trump ka cituar shqetësimet e tij për sigurinë kombëtare, si arsye për vënien e tarifës prej 25 për qind në importet e çelikut dhe 10 për qind në ato të aluminit. Ai ka thënë se importet janë duke “vrarë” industritë e çelikut dhe aluminit dhe se shteti dëshiron të mbrojë veten, duke krijuar sektorë të metaleve me kapacitet për të prodhuar armë.
Kur ka njoftuar për vendimin e tij për tarifat, më 8 mars, Trump ka thënë se shpenzimet europiane në NATO janë në mendjen e tij, duke theksuar kritikat ndaj Gjermanisë.
“Shumë shtete që na trajtojnë si më të dobëtit në tregti dhe ushtri janë miqtë tanë, – ka thënë Trump. – Kjo nuk është e drejtë”.
Trump ka përjashtuar nga tarifat vetëm Kanadanë dhe Meksikën, duke cituar “përkushtimin e përbashkët” me Shtetet e Bashkuara në sigurinë kombëtare. Shtëpia e Bardhë ka thënë se Trump do të konsiderojë përjashtimin e aleatëve amerikanë nga tarifat, duke shqytuar çdo shtet si rast të veçantë.
Gjermania dhe vendet e tjera aleate në Europë kanë thënë se do të kërkojnë përjashtime nga këto tarifa.
Top Channel