Mjekët pensionistë, punojnë vullnetarisht në spitalin e Sarandës

10/03/2018 15:09

Mjekët pensionistë po punojnë vullnetarisht në Sarandë për të mbuluar nevojat në shumicën e specialiteteve.

Pediatri i njohur Minella Nini ka 7 vjet që ka dalë në pension, por vijon ende të kontribuojë vullnetarisht për vizitat e fëmijëve në pediatri për të mbështetur nevojat e spitalit të Sarandës. Ai është njëri prej dy mjekëve pediatër pensionistë në këtë pavion.

“Që të mbash dhe të ruash shëndetin tënd nuk të gjen gjë nga puna. Isha në kulmin e moshës dhe fizikut në kohën që mbusha pensionin. Ka nevojë për shumë dhe jo vetëm për një e dy. Shumica janë pensionistë. Pensionisti do të punojë atë që ka takat dhe ti do shfrytëzosh atë që ka fuqi. Nuk ke humbje si shtet, përkundrazi ke fitim”, tha Minilla Mini pediatër në pension.

Drejtori i spitalit Tajar Lako thotë se spitali me 200 të punësuar ka vetëm 27 mjekë por peshën kryesore të shërbimit e mbajnë mjekët pensionistë. Kështu shërbime të tilla si kardiologjia, pediatria, hematologjia, gastroenderologjia, infektivi, nefrologjia dhe specialitete të tjera mbulohen nga mjekë në pension për të cilët janë zgjatur kontratat ose është rënë dakord të kontribuojnë vullnetarisht.

“Është dashur që ne të angazhojmë ose mbajmë disa mjekë që kanë mbushur moshën e pensionit. Aktualisht kemi pasur dy mjek, po para 2-3 muajsh na kanë dalë në pension dhe tre mjekë të tjerë. Për mua kanë dalë në pension por janë tepër vital”, thotë Tajar Lako drejtor i spitalit.

Spitali i Sarandës me një xhiro të shtretërve prej 47 për qind ka mungesë emërimesh të reja prej vitesh. Institucioni përballon çdo verë kapacitetin e shtuar të pacientëve që kalojnë pushimet në Sarandë, por vijon të ndjejë mungesën e mjekëve për shumë specialitete.

 

Top Channel