Komandanti i lartë i NATO-s, gjenerali amerikan Curtis Scaparrotti është shprehur i shqetësuar për shtimin e ndikimit të Rusisë në rajonin e Ballkanit, ku sipas tij Shtetet e Bashkuara kanë humbur përqëndrimin e tyre.

Gjenerali Scaparrotti, i cili është edhe komandant i trupave amerikane në Europë, e tha këtë gjatë një dëshmie në Komisionin për Shërbimet e Armatosura në Senatin amerikan.

Ai pohoi se, SHBA dhe NATO po punojnë së bashku për t’iu kundërvënë kërcënimeve më të mëdha për sigurinë në Europë: ekstremizmit të dhunshëm dhe përpjekjeve ruse për destabilizim.

“Zona për të cilën jam i shqetësuar është Ballkani. Rusia po punon në Ballkan dhe ne e kemi hequr vëmendjen nga ajo hapësirë”, ishin fjalët e tij.

Moska, e cila nuk e sheh me sy të mirë integrimin e rajonit në Bashkimin Europian dhe në NATO, ka shtuar përpjekjet për të shtrirë ndikimin e saj, kryesisht duke shfrytëzuar Serbinë dhe serbët e Bosnjës, për shkak të lidhjeve historike.

Gjenerali Scaparrotti tha se, Rusia po provon të nxisë trazira në Ballkan nëpërmjet fushatave të dezinformimit drejtuar popullatave lokale. Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim në disa raste, edhe për një qendër të emergjencave që Rusia menaxhon në qytetin e Nishit, në Serbinë jugore.

Disa grupe perëndimore dhe analistë ushtarakë e shohin si një bazë ushtarake të kamufluar, që Kremlini e ka ngritur për të mbikëqyrur interesat amerikane në Ballkan. Moska kërkon që personelit të saj t’i jepet imunitet diplomatik, ndërsa mohon çdo lloj veprimtarie tjetër përveç trajtimit të emergjencave.

Top Channel