Fermerët i penalizon toka; S’mund të marrin subvencione, kanë pak sipërfaqe

09/03/2018 19:55

Në drejtorinë e bujqësisë në Lushnjë çdo ditë paraqiten dhjetëra fermerë që aplikojnë në skemat e subvencioneve. 250 aplikues, të cilët kanë plotësuar formularin e aplikimit për sipërfaqet me shalqi, perime por dhe blegtori.

Si ata që vijnë për herë të parë edhe ata fermerë që kanë eksperiencë në skemat e subvencionimit thonë se nuk kanë shumë informacion.

“Skeptike jemi s’e dimë a do marrim. Për këtë po dëgjojmë që flitet në televizor. Më përpara s’e dinim, erdhëm sot të fusim letrat”, thotë një nga fermerët.

“Kemi bërë disa aplikime për ulli. Jemi skeptike. Kemi shumë vështirësi. Duhet të nxjerrim ujë, energjia. Nuk kemi shumë shpresa”, shprehet një tjetër.

Një nga pikat e rëndësishme në këto skema është se një fermerë që të përfitojë duhet të ketë minimumi 5 dynym tokë.

“Aplikanti vjen pranë Agro-pikës dhe paraqet një dokument identifikimi dhe NIPT-in e fermerit dhe me anë të vetëdeklarimit deklaron për atë që do të investojë. Ata që kanë mbi 5 dynym mund të përfitojnë, ne inkurajojmë ata që kanë më pak që të bashkohen për të përfituar”, shprehet Agim Pepkolaj.

Kësisoj nga skema s’kualifikohen shumica e fermerëve, pasi ata kanë përfituar tokë në vitet 90 me ligjin 7501, ku çdo anëtari të familjes i takonin 3.8 dynym tokë.

Top Channel