Këto janë ditët e fundit të aksionit të mbjelljes së pemëve, ku synimi i bashkisë është të arrijë 100 mijë të tilla.

Deri tani në kryeqytet janë mbjellë mbi 93 mijë pemë falë kontributit të qytetarëve, bizneseve, por edhe institucioneve, të cilat i janë bashkuar aksionit për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra.

“Kemi hyrë në një fazë finale të mbjelljes së pemëve në Tiranë. Duam të maksimizojmë kohën e mbjelljes, që mbaron në fund të marsit. Ndaj, në datën 21 Mars do të kemi një ‘grand finale’ për të kapur rekordin tonë të 100 mijë pemëve të mbjella në Tiranë. Nëse do të na ndihmojnë të gjithë qytetarët, në çdo lagje, pallat, shkollë a kopësht, do kemi një Tiranë shumë herë më të gjelbër se sa ajo që gjetëm përpara 3 vitesh. Stacioni i fundit do të jetë 21 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Pyjeve, ku me siguri do ta thyejmë rekordin”, tha Veliaj.

Deri në 21 mars, që përkon edhe me Ditën Botërore të Pyjeve, Bashkia e Tiranës do të organizojë disa aksione që synojnë arritjen e rekordit për mbjelljen e mbi 100 mijë pemëve të reja, si pjesë e projektit të Pyllit Orbital. Pas suksesit të 17 janarit, 14 shkurtit apo dhe të festave të 7-8 Marsit, ku qytetarët iu bashkuan aksionit për mbjelljen e pemëve të reja, për çdo datë të shënuar në të gjithë kryeqytetin do të organizohen aksione për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra.

Kryebashkiaku Veliaj ftoi të gjithë qytetarët e Tiranës që të shfrytëzojnë kohën e mbetur për të shtuar sipërfaqet e gjelbra në lagjet ku jetojnë.

“Mund të kemi një Tiranë fantastike, ku me çdo pemë të mbjellë, jo vetëm kontribuojmë në qytet, por edhe përkujtojmë një datë të shënuar apo një njeri të dashur dhe të shtrenjtë. Jam shumë i lumtur që po japim shembullin vetë të parët. Është shumë e rëndësishme që t’i kërkojmë të gjithë qytetarëve të kontribuojnë dhe më vjen mirë që kanë filluar edhe pallatet, edhe kopshtet, edhe çerdhet, edhe shkollat, por është shumë e rëndësishme që si bashki me gjithë institucionet tona të japim shembullin tonë”, përfundoi Veliaj.

Pylli Orbital, i njohur ndryshe edhe si unaza e 5-të e Tiranës, do të çojë në mbjelljen e një muri të gjelbër me 2 milionë pemë që do të lidhë 14.671 hektarë parqe, fusha bujqësore, pyje dhe forma të tjera të vegjetacionit rreth qytetit.

Top Channel