Majlinda Bregu është e para shqiptare që synon drejtimin e një institucioni të rëndësishëm ndërkombëtar me mbështetje të Bashkimit Europian, ndërsa ka aplikuar për Sekretare të Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.
Ajo ka mbështetjen e qeverisë në garën me ish-kryeministrin malazez dhe në një aktivitet në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ajo pohoi se nuk ishte aspak e kompleksuar nga ky fakt, teksa lobimi ndërkombëtar i zonjës Bregu vazhdon.
“Për herë të parë, e them sinqerisht, shoh një përpjekje mbarëkombëtare për të mbështetur një grua që kandidon për një pozicion të rëndësishëm dhe për t’i dhënë Shqipërisë atë që meriton”, deklaroi Bregu.
“U rikonfirmua që nuk ka zgjerim të koalicionit, por një pjekuri nga ana e shoqërisë shqiptare dhe institucioneve shqiptare”, u shpreh ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.
Para se Majlinda Bregu të hynte në politikë dhe të drejtonte për vite me radhë Ministrinë e Integrimit, ajo ishte pedagoge, gazetare dhe aktiviste në mbrojtje të drejtave të grave. Tashmë, distante nga politika aktive, ka një të vërtetë për gratë që duan të bëhen politikane: “Nuk do ju them sa e mrekullueshme është që të jesh grua në politikë; se sa i mirë është sistemi i kuotave; sa zbutet Parlamenti kur ka më shumë gra aty; sa të devotshëm janë burrat që të dëgjojnë kur ti bën një fjalim të mirë. Nuk është kështu”.
Ish-drejtorja e Arkivës Qendrore të Shtetit, Nevila Nika tregoi gratë për të cilat shqiptarët duhet të krenohen dhe që pak mund të njihen: “Vera Bogdo, e para juriste në Shqipërinë e viteve ’30 apo Musine Kokalari”.
Ndërsa vitet kanë kaluar, pjesëmarrja e grave në politikë, qeveri qendrore apo pushtet vendor, është rritur edhe falë caktimit të kuotave gjinore, por aktivistja tjetër e të drejtave të grave, ish-ministrja dhe deputetja Eglantina Gjermeni, thotë se shifrat nuk mjaftojnë: “Nëse kemi arritur fitore me numrat, duhet të arrijmë shumë më tepër me programe e projekte”.
Fakt është se edhe pse ligji detyron që në tre kandidatë për në Kuvend, një të jetë grua, thuajse të gjitha partitë pas një procsi zgjedhor gjobiten dhe penalizohen nga KQZ, për shkak të mosrespektimit të kuotës.
Top Channel