Kryesia e Partisë Demokratike u mblodh në orët e pasdites së të enjtes, ku në rend ditë është caktimi i një date për zhvillimin e Kuvendit Kombëtar.
Në fjalën e tij, Lulzim Basha u ndal tek ndryshimet e statutit të kësaj partie. Ai tha se ndryshimet janë atributi i Kuvendit Kombëtar dhe ftoi edhe kritikët brenda partisë që të parashtrojnë propozimet e tyre në këtë Kuvend.
“Çdokush që ka dëshirë të kontribuojë nuk ka asnjë pengesë, të asnjë forme, qoftë edhe statutore. Të paraqitet për vendimarrje në Kuvend çdo kontribut për fuqizimin e Partisë Demokratike”, u shpreh ai.
E për këtë, Basha thotë se do të ngrihet një grup.
“Që të vendosë kontaktin me ata që duan të kontribuojnë”, vijoi kreu i PD.
Demokratët pritet të mbledhin Kuvendin brenda pranverës, të paktën nga ajo që ka deklaruar më herët Lulzim Basha. Ndërkohë, Astrit Patozi dhe Ridvan Bode kanë nisur lëvizjen kundër kreut të PD-së. Kjo lëvizje ishte e paralajmëruar në rast se Lulzim Basha nuk do t’i përgjigjej platformës së shtatorit për ringritjen e PD-së, që mban vulën e Patozit dhe ish-sekretarit të Përgjithshëm, Ridvan Bode.
Ndërkohë, Jozefina Topalli dhe Arben Imami, edhe pse kritikë të fortë nuk kanë angazhim direkt në strukturë. Lëvizje konkrete, por jo në planin partiak ka bërë Majlinda Bregu, e cila ka nisur lobimin për të fituar pozicionin e Sekretarit te Pergjithshëm, të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, një strukturë e në kaudër të Procesit të Berlinit.
Top Channel