Arktiku përjetoi këtë vit dimrin e tij më të nxehtë që nga fillimi i regjistrimeve, raportojnë në studime të ndara shkencëtarët amerikanë dhe ata rusë.
“Është një çmenduri e vërtetë”, thotë Mark Serreze, drejtor i Institutit Kombëtar për Motin, e kryesisht për dëborën, në Colorado të Shteteve të Bashkuara, i cili e studion rajonin që prej vitit 1982.
“Valë të tilla të nxehti atje nuk i kam parë ndonjëherë”, rrëfen ai.
Të dhënat e qendrës në fjalë tregojnë se dimri në Arktik gjatë muajve dhjetor, janar dhe shkurt ka shënuar temperatura 4.9 gradë Celsius, më të lartë sesa zakonisht.
Ajo që po ndodh është e paprecedentë, sipas ekspertëve, që e cilësojnë fenomenin pjesë të një cikli të nxitur nga ngrohja globale, i njëjti që ndoshta ka luajtur rol në këndvështrimin e tyre edhe te stuhitë e fundit të forta në Europë dhe verilindjen e Shteteve të Bashkuara.
Temperaturat rekord të shënuara muajin e kaluar, shkencëtarja e klimës në Institutin danez të Meteorologjisë, Ruth Mottram, i ka krahasuar me ato të majit. Në shkurt, akulli i detit Arktik mbulonte 8.4 milionë kilometra katrorë, apo rreth 99 mijë kilometra katrorë më pak sesa rekordi i ulët i vitit të kaluar.
Shkencëtarët theksojnë se vazhdon të ngrijë akull në det, por ai është më i hollë sesa më përpara dhe mund të shkrijë lehtësisht në verë.
Top Channel