Transporti ndërqytetës, abuzime me çmimet e biletave për invalidët

07/03/2018 20:43

“Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së mërkurës abuzimet e shoqërive të transportit ndërqytetas me çmimet e biletave për invalidët.

Sipas ligjit, udhëtimi i invalidëve bëhet me 50 për qind të vlerës së biletës. Nëpërmjet kamerave të fshehta u dokumentua se dhjetëra shoqëri nuk e njohin librezën e invaliditetit, e për pasojë qytetarët janë detyruar të paguajnë biletën e plotë.

Në redaksinë e “Fiks Fare” u ankua një qytetar, i cili tha se udhëton në qytete të ndryshme në Shqipëri, por, megjithëse ka kartën e invaliditetit, ai e paguan biletën e plotë. Sipas tij, në disa raste faturinot e kanë zbritur nga automjeti, kur nuk ka paguar biletën e plotë.

Qytetari kërkoi vetëm që të zbatohet ligji me numër 7889, i datës 14 dhjetor 1994. Krahas këtij ligji, Ministria e Transporteve ka nxjerrë një udhëzim, ku citon se subjekti transportues është i detyruar të zbatojë legjislacionin në fuqi për personat me aftësi të kufizuara, e t’i krijojë sa më shumë lehtësira për transport kësaj kategorie.

Sipas këtij udhëzimi, moszbatimi i legjislacionit në fuqi për transportin e personave me aftësi të kufizuara përbën shkelje të rëndë, e cila shkon deri në pezullimin ose heqjen e licencës dhe/ose certifikatës së autobusit.

Invalidët, bileta të plota

Por çfarë ndodh në terren? “Fiks Fare”, bashkë me ankuesin kanë shkuar në disa shoqëri që kryejnë aktivitet në linjat ndërqytetëse, për të verifikuar nëse ankesa e tij qëndron.

“Fiksi” shkoi në 6 linja, e asnjëra prej tyre nuk pranoi librezën e invaliditetit. Madje i kërkuan invalidit që të paguante biletën e plotë.

“Nuk i quajmë sepse nuk të jep shteti asnjë gjë. Këto janë për urbane e për trena”, thotë një faturino i linjës Tiranë-Durrës.

Ndërkohë, një faturino i linjës Tiranë-Shkodër shprehet se “ne të Shkodrës s’e bëjmë asnjë. Pyesni shtetin, jo mua përse. Ai ia ka dhënë pensionin, këtë letër dhe po vet shteti s’e njeh”.

Edhe linja për në Kukës nuk e njeh librezën, sikurse edhe linja e Poliçanit. Megjithatë, autobusi i Poliçanit bënte vetëm ulje prej 100 lekësh, por pa njohur librezën.

“Tani, po të jetë për të kërkuar llogari, ne themi kaq është mundësia. Ke të drejtë ti, këtu në Shqipëri vetëm ne paguajmë, shteti nuk na jep gjë, vetëm na vjel”, thotë faturino.

Pas ankesës dhe kamerave të fshehta, “Fiksi” pyeti kryetarin e Shoqatës së Transporteve, Kujtim Mema. Ai tha se vërtet thuhet në ligj se invalidi duhet ta marrë biletën me ulje prej 50%, por kompanitë nuk marrin kompensimin.

“Nuk kemi si të veprojmë ndryshe. Shoqëritë nuk marrin asnjë kompensim dhe financim nga shteti, as për naftën, as për biletat. Shteti vetëm vendos taksa. Nëse marrin edhe invalidët me gjysmëçmimi, shoqëritë nuk fitojnë asgjë”, thotë Mema. Ai shprehet më tej se i ka kërkuar Ministrisë që t’i njohin biletat e invalidëve, por ka mangësi nga shteti në këtë drejtim.

Përplasje mes Infrastrukturës dhe Mbrojtjes Sociale

Gazetarët e “Fiks Fare” pyetën në Ministrinë e Infrastrukturës e Energjisë dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Këto ministri ia kalonin “topin” njëra-tjetrës. Ministria e Infrastrukturës, nëpërmjet drejtorit për Transportin, Thimio Plaku, thotë se ligji nuk përcakton kompensim të këtij 50 përqindëshi, pra drejtuesit e mjeteve nuk marrim mbrapsht kompensimin e biletave.

Sipas tij, ky ka qenë një problem që është ngritur shpeshherë. Ai pranon se ka një problem që bie mbi shoqëritë e transportit, ndërsa shton se Ministria është e gatshme të bashkëpunojë për një skemë kompensimi, por që duhet të dalë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

“Fiksi” shkoi edhe në këtë ministri, ku zv.ministrja Bardhylka Kospiri tha se Ministria që duhet të kompensojë operatorët e linjave ndërqytetase është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ajo thotë se nuk është vetëm kategoria e invalidëve problem, por edhe ajo e studentëve. Në fund, Kospiri thotë se ministria ku ajo punon është e gatshme që të bashkëpunojë për zgjidhjen e kësaj problematike për invalidët.

FOTO GALERI
4/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA