Mori detyrën e Kryeministrit në kohën që vendi ishte përfshirë në vorbullën e madhe të krizës financiare që shpërtheu në SHBA dhe Europë. Megjithatë, në dy vite që drejtoi Italinë, ndërmori një sërë reformash të guximshme për të shmangur kolapsin ekonomik të vendit.
Në atë kohë, Mario Monti përsëriste vazhdimisht për rrezikun që i kanosej ekonomisë dhe të ardhmes së italianëve nga populizmi.
“Zgjedhjet e fundit ishin një betejë mes populistëve. Ishte një betejë e dy populistëve më të freskët, si Di Maio dhe Salvini me dy populistët e konsoliduar në sistem, por të konsumuar dhe më pak të besueshëm, me babain e populizmit, Berlusconi dhe Renzin, që edhe në Pallatin Chigi praktikoi deri diku populizmin e tij kundër Europës”, thotë Senatori për “La Stampa”.
Monti shprehet pesimist, por jo i pashpresë.
“Nuk besoja që partitë, që të gjitha ato, do të ishin kaq të papërgjegjshme me premtimet e bëra në fushatën elektorale. Megjithatë, mbetem i bindur që një ekonomi sociale me tregje që funksionojnë dhe krijojnë vende të reja pune, që rrit prodhimin dhe zbut pabarazinë është zgjidhja”, deklaron ai.
Sot, kur sheh që “profecia” e tij për populizmin u realizua me Lëvizjen 5 Yjet dhe Lega Nord si parti të para në zgjedhje, këshilla e Mario Montit është vetëm një.
“Italia nuk duhet të dalë nga Bashkimi Europian. Nëse e bën do të ishte një katastrofë, ekonomike, sociale e politike”, thotë ai.
Top Channel