Përmbytja e nënShkodrës, Gjiknuri: Shkarkimet do vazhdojnë, por jo si në 2010

07/03/2018 14:31

Shkarkimet nga kaskada e Drinit nuk do të jenë në përmasat e atyre të 2010, por ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri thotë se do të vazhdojnë. Ministri inspektori hidrocentralin e Vaut të Dejës.

“Në varësi të motit, realisht paralajmërimi është që do të kemi reshje të mëtejshme, dhe një pjesë e madhe e borës ju e dini që është shkrirë dhe potencialisht prurjet do të jenë të mëdha. Fierza sot ka shumë mundësi që në darkë të shkojë në kuotën e 295 metrave dhe maksimumi që mund të shkohet me rregullore është 296 metër për sezonin që flasim. Nëse do të kemi prurje të mëdha, jemi të detyruar të shkarkojmë më shumë. Por jam i bindur që nga këto të dhëna që duken që nuk do të jemi në ato përmasa të shkarkimeve të vitit 2010, sepse ai mbahet si një skenar, që deri diku mund të quhet një skenar i keq”, tha Gjiknuri.

Megjithatë, sipas Gjiknurit, nuk jemi në një situatë emergjencë për të paralajmëruar evakuime. “Shteti operon me protokolle dhe me rregulla. Do të thotë ka një shtab emergjence të ngritur. Ka një shtab në Tiranë dhe ka struktura të veçanta të cilat në momentin kur mund të ketë rreziqe të tilla për përmbytje janë të detyruara të bëjnë paralajmërime dhe me çkam qenë dëshmitarë edhe në Vjosë përpara disa muajve kur kishte përmbytje në kohë u paralajmëruan banorët. Pra në këtë pikëpamje shtabet po funksionojnë dhe nëse do të ketë rrezik për përmbytje jam i bindur që edhe vetë personalisht për sa rol kam, megjithëse nuk është roli im për të njoftuar direkt qytetarët, këto do të bëhen në kohën e duhur dhe duhet të ketë masa në fuqi për evakuimin e tyre nëse do të ketë nevojë. Por nuk jemi në atë skenar. Situata po kontrollohet, përmbytjet janë shumë minimale dhe janë nga ato që ndodhin vazhdimisht kur ka reshje në zonën e nënShkodrës. Nuk jemi në ato përmasa që mund të kemi njoftime për evakuim. Situata do të përmirësohet dhe do të azhornohet. Do të informohet struktura shtetërore dhe publiku orë pas ore, minutë pas minute”, vijoi ministri.

Për zonën e nënShkodrës është kërkuar të funksionojë një ligj i veçantë, siç ndodh me rentën minerare për shkak se çdo vit përmbyten këto zona dhe drejtpërdrejtë i është kërkuar KESH-it kompensim, pasi edhe nga përmbytjet e shkuara ka pretendime që nuk është kryer i plotë ky dëmshpërblim.

Për këtë ministri u shpreh: “Dëmshpërblimi në përgjithësi është kryer. Megjithëse në atë kohë ju ngarkua KESH-it, për mendimin tim dhe nga informacionet që kam, ju ngarkua një përgjegjësi që nuk e ka pasur. Megjithatë dëmshpërblimi përgjithësisht është kryer. Së dyti, mjafton t’ju them faktin që po shkarkohet më pak sesa ka prurje, HEC-et ndihmojnë në përballimin e përmbytjeve. Shikoni rastin e Vjosës. Sa herë ka shira në Vjosë gjithmonë përmbytet zona ku derdhet Vjosa. Pse? Sepse nuk ka diga për ta mirëadministruar. Kaskada e Drinit ndihmon ne menaxhimin e ujërave dhe kur vjen pika që prurjet janë më të mëdha sesa mundësi për të menaxhuar ujin patjetër do ketë. Ju e dini shumë mirë, përpara sesa të ndërtoheshin këto hidrocentrale zona e nënShkodrës ka qenë e gjitha kënetë. Sepse Drini nuk e përballonte dhe nuk menaxhohej. Digat kanë ndihmuar për administrim”.

Top Channel