Mësuese për 40 vite, Valentina kujdeset për fëmijët e shkollës speciale

07/03/2018 15:13

Valentina Sotiri punon prej gati 25 vitesh në shkollen speciale “Luigj Gurakuqi” në kryeqytet. Ka në kujdestari klasën e 4 A.

“Vërtetë ndonjëherë mërzitem e lodhem, se mosha bën të vetën dhe gjërat lënë gjurmë në veten e tyre por kur largohem nga ai moment më dhimbsen dhe them e bëra për ta”, rrëfen mësuese Valentina.

Në klasë ka nxënës të prekur nga Autizmi, me Sindromën Dovvn, me Prapambetje Mendore, Epilepsi dhe Skizofreni. Punojnë në programe parashkollore, ndërsa mosha e tyre është 10, 12-vjeçarë.

“Të bësh për këta fëmijë është një ndjesi që jo të gjithë e kuptojnë. E kuptojnë ata që vijnë e punojnë këtu, ne këtu bëjmë rolin e psikologes, mësuese, sociologes, pastrueses”, thotë Vali.

Valentina është diplomuar për Histori-Gjeografi. Ka gati 40 vite pune gjithsej. Ajo kujton kur erdhi për herë të parë në shkollën “Luigj Gurakuqi”.

“Kur kam ardhur në këtë shkollë kam ardhur me shumë dëshirë, po nuk e dija çfarë më priste brenda. Mundohesha të bëja gjërat që bëheshin në shkolla normale. Jam munduar nga mësuesja që kam pasur në klasë, Shpresa Kosta, t’ia vidhja në kuptimin e mirë të fjalës mënyrën se si ajo punonte”, vijon më tej.

Valentina ka dy fëmijë, por i konsideron të sajët edhe këta djem e vajza. Madje tregon se ka investuar vetë për këtë shkollë.

“Dhe në shtëpi prapë për këta flasim”, rrëfen Valentina.

Kur e pyesim se si kanë ndryshuar gjërat në dy dekada e gjysmë pune, Valentina bën këtë konstatim.

“Tani është shtuar vështirësia e punës se ka shumë me autizëm. Mirela, ka shumë dëshirë të mbajë fëmijë të vegjël, ti pastrojë. Arlindi ka qenë një tip i urtë kur ka ardhur. Sivjet ka filluar të më hapë derën dhe të shkojë në tualet vetë, pa ndihmë, se ka qenë me pampers”, thotë ajo.

7 Marsi është si çdo ditë tjetër për të. Për pak muaj mësuese Vali do të dalë në pension. Kur i llogaritim vitet e punës këtu, ajo na thotë me shaka se 25 vite pune në këtë shkollë janë “të bësh një fëmijë e ta martosh”.

 

 

Top Channel