Lobim përmes rusëve? PD: Shpifje e Edi Ramës! Nuk kemi lidhje me ta!!

07/03/2018 14:38

Partia Demokratike ka reaguar një ditë pas qarkullimit në media të investigimit të publikuar fillimisht në revistën amerikane “Mother Jones” e më pas edhe në mediat shqiptare.

Në reagimin e saj, PD e cilëson shkrimin shpifje, qesharak dhe skandaloz për nga falsifikimi i dokumentave dhe kapërcimet logjike. Opozita thotë se pas këtij lajmi, qëndron Edi Rama.

“Shkrimi është produkt i një fushate të gjerë që ka ndërmarrë Edi Rama, të financuar nga burime të paligjshme që vijnë nga bota e krimit dhe e korrupsionit. Kjo fushatë ka për qëllim të shkurajojë përpjekjet e opozitës dhe të çdo faktori tjetër kundër drogës dhe krimit. Fushata e financuar me burime të paligjshme po bëhet tani që Edi Rama po ushtron presion për të mbyllur hetimet ndaj Saimir Tahirit dhe për të mos hetuar garantuesin politik të trafikut të kokainës kolumbiane”, thuhet në reagimin e Selisë Blu.

Në deklaratën e saj, PD thotë se nuk ka shkelur asnjë ligj dhe se nuk ka patur asnjë lidhje direkte, apo indirekte me individë, apo kompani ruse.

“Përpjekja e Edi Ramës dhe e mercenarëve të tij për të implikuar Partinë Demokratike është betejë shterpë. Asgjë nuk do ta largojë Partinë Demokratike nga lufta kundër drogës, krimit dhe kapjes së shtetit nga interesat kriminale. Sikurse kemi bërë çdo ditë për më shumë se katër vjet, do të vazhdojmë çdo ditë derisa kriminelët në politikë dhe në rrugë të dalin para drejtësisë”, thuhet në reagimin e Partisë Demokratike.

Një ditë më parë, revista “Mother Jones” publikoi një investigim të tre gazetarëve të saj, ku hedh dyshime mbi pagesat e kryera për lobim në Uashington nga ana e opozitës shqiptare. Sipas revistës, pas kompanisë skoceze “Biniatta Trade”, qëndrojnë dy kompani të tjera me pronarë rusë.

Top Channel