Pas zgjedhjeve të përgjithshme të së dielës, që nuk prodhuan një rezultat të qartë, italianët nuk e dinë se kush do t’i qeverisë.

Sipas sondazheve të fundit, 51% duan votime të reja, ndërsa një në 3 shtetas të fqinjit të përtej Adriatikut do të preferonte marrëveshjen mes “Lëvizjes 5 yjet” dhe “Lega Nord”, skenar ky që do të çonte drejt krijimit të një ekzekutivi 100% populist.

E ndërsa Matteo Salvini e përjashton një mundësi të tillë, “5 yjet” e Luigi di Maios mund të bashkojnë forcat me Partinë Demokratike, ashtu siç kërkon një fraksion brenda saj.

Pikërisht këtë po përpiqet të shmangë Matteo Renzi, me shtyrjen e dorëheqjes deri pas krijimit të qeverisë, për t’u siguruar kësisoj se nuk do të ketë një ujdi me Di Maion.

Por Silvio Berlusconi këmbëngul se qeverinë duhet ta formojë qendra e djathtë. “Do ta mbështes Salvinin, – u shpreh ai, – dhe do të jem garant i koalicionit”.

“Vota e së dielës nuk ishte një garë e brendshme mes nesh”, këmbëngul kavaljeri, duke shtuar se suksesi i koalicionit është një zhvillim i rëndësishëm, pasi do të lejojë ndryshimin e politikave, me të cilat është drejtuar vendi gjatë viteve të fundit.

I pyetur nëse Salvini ka të drejtën të paraqitet si kandidat për kryeministër, Berlusconi u përgjigj se do të respektojë deri në fund paktin parazgjedhor, e do t’i japë pa hezitim kreut të “Lega Nord”-it mbështetjen e tij në përpjekjet për formimin e ekzekutivit të ri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA